Rajoni

Kosovë, Albin Kurti përshëndet heqjen e masave nga BE-ja!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot vendimin e Bashkimit Europian për heqjen e masave ndëshkuese. BE-ja i vendosi më 2023-shin për shkak të tensioneve në veriun me shumicë serbe. Por, gjatë mbledhjes së ekzekutivit tha:

Institucionet e Kosovës nuk ishin shkaktare të përshkallëzimit të situatës në veri, por ulja e tensioneve në atë zonë ishte pikërisht meritë e institucioneve të shtetit.

Pas vendosjes së masave ndëshkuese, që do të hiqen krejtësisht në fund të janarit dhe do t’i mundësojë vendit të fitojë miliona euro ndihmë financiare, Kosova u përball me dy sulme, në shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit dhe në nëntor të vitit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit.

Për të dy sulmet, Kurti përsëriti qëndrimin se ka prova për përfshirjen e shtetit të Serbisë.

Në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Kosovën. Situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës, është pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik. Me gjithë këto, gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me BE-në. Kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj integrimit evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim.

Duke folur për masat, Kurti kritikoi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë e që nuk votuan në nëntor Planin e Rritjes dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, para se Kuvendi të shpërndahej.

Masat më të mëdha financiare, Republika e Kosovës nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Europian, por nga opozita parlamentare.

Partitë opozitare kishin refuzuar që të merrnin pjesë në seancën e thirrur nga partia e Kurtit, duke argumentuar se “qeveria në detyrë po përdorte këtë çështje si instrument të lojërave të saj politike”.

Mungesa e konsensusit për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të shkurtit, çoi në shpalljen e zgjedhjeve të reja, që do të mbahen më 28 dhjetor.

Përveç masave ndëshkuese të BE-së, qeveria e drejtuar nga Kurti është përballur me kritika nga Shtetet e Bashkuara për shkak të disa vendimeve në veri, përfshirë mbylljen e institucioneve serbe, ndërmarrje publike që funksiononin në sistemin serb.

Në veri është ndaluar edhe përdorimi i dinarit serb për kryerjen e pagesave. Serbia financon strukturat paralele e mbështet serbët atje përmes pensioneve dhe shtesave të tjera, në dinarë.