Bashkimi Evropian (BE) vendosi t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke i mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare që në fillim të vitit 2026, siç njoftuan zyrtarë nga të dyja palët.
Vendimi vjen pasi u bë kalimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veriun e banuar me shumicë serbe. Ishin pikërisht tensionet në këtë pjesë të vendit që shtynë bllokun të vendoste masa ndëshkuese verën e vitit 2023.
Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njoftoi e para se BE-ja vendosi t’i heqë të gjitha masat deri në fund të janarit, gjatë samitit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi në X se BE-ja po i heq masat pasi kalimi i pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale u zhvillua në mënyrë paqësore.
Falë kësaj, kam kënaqësinë të njoftoj se po ecim përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës. Blloku po planifikon 216 milion euro ndihmë financiare për Kosovën dhe se synon t’i ndajë 205 milion euro që në fillim të vitit 2026.
BE-ja kishte hequr gjysmën e masave në fillim të kësaj jave, por nuk qe e qartë se ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji. Thuhej se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria e Sllovakia, nuk kishin vullnet për heqjen e të gjitha sanksioneve.
Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar vazhdimisht nga BE-ja t’u japë fund masave ndëshkuese, të cilat i shkaktuan vendit dëme në vlera milionëshe. Ata argumentonin se gjendja në veri u shtensionua pas zvogëlimit të pranisë së Policisë në objektet komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e këtij viti dhe kalimit të pushtetit te serbët lokalë, paqësisht.
Këto masa ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milion euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar.