Sipas mandatit që iu dha nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot Albin Kurti ka ditën e fundit për të prezantuar kabinetin dhe programin qeverisës në rolin e të mandatuarit për formimin e ekzekutivit të ri të Kosovës.
Prej orës 10:00, deputetët mblidhen në seancën e jashtëzakonshme plenare, me vetëm një pikë në rendin e ditës: zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Por, për ekzekutivin e ri në Kosovë duhen 61 vota. Në rast mosformimi, Albin Kurti bëhet i pari i mandatuar që do të dështojë për krijimin e qeverisë, pasi në të gjitha proceset e mëparshme të këtij lloji, të mandatuarit janë zgjedhur me shumicë votash që herën e parë. Osmani ka theksuar se nëse sot nuk kalon qeveria, brenda 10 ditëve do t’i ftojë partitë të shohin nëse ndonjë prej tyre mund të sigurojë 61 votat e nevojshme.
Nëse qeveria e Kosovës nuk formohet as pas përpjekjes së dytë, sipas Kushtetutës, kryetarja e shtetit duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 40 ditëve. Kujtojmë se më 9 shkurt, Vetëvendosje doli fituese me 48 vende në Kuvend, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës, LDK me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK 20, koalicioni i përbërë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma, 8.
Komuniteti serb ka 10 karrige të garantuara, 9 të Listës Serbe që mbështetet nga Beogradi zyrtar e një për Nenad Rashiç. Ndërkaq, 10 të tjera parlamentare iu rezervohen komuniteteve joserbe.
Në të gjitha proceset e tjera për formimin e qeverisë, të mandatuarit janë zgjedhur me shumicë votash në herën e parë: Bajram Rexhepi në vitin 2002, Ramush Haradinaj më 2004-ën, Bajram Kosumi më 2005-ën, Agim Çeku më 2006-ën, Hashim Thaçi më 2008, 2010 e 2014, Isa Mustafa më 2014-ën, Ramush Haradinaj më 2017-ën, Avdullah Hoti më 2020-ën dhe Albin Kurti në vitet 2020 e 2021.