Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatin paraprak të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, pas numërimit të 100% të votave nga vendvotimet. Por, në këtë rezultat nuk përfshihen votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë nga diaspora.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia në pushtet doli e para me 40.80%, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate, me 7.46, si edhe Lista Serbe me 4.61% të votave. Partitë e tjera kanë fituar përqindje më të vogël të votave.
Me ligjin e ri për zgjedhjet, votat për kandidatë për deputetë numërohen të ndara në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky proces ka nisur me vonesë ndërsa organizatat për monitorimin e zgjedhjeve e kritikuan KQZ-në se nuk është përgatitur mjaftueshëm mirë për procesin.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, deri dje janë numëruar 92.73% e votave për kandidatët për deputetë apo 2 mijë e 340 qendra votimi nga 2 mijë e 533 në total.
Procesi i numërimit ka përfunduar në 31 komuna ndërsa është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në shtatë komuna tjera: Leposaviç, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Ferizaj e Zveçan, siç edhe u tha në njoftimin e KQZ-së.
Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka siguruar më shumë vota në këtë proces zgjedhor është zotuar të formojë qeverinë e re, ndonëse me rezultatet e tanishme, forca politike e kryeministrit Albin Kurti nuk i ka 61 deputetë për miratimin e kabinetit të ri qeveritar.
Analistët politikë kanë përmendur mundësinë e bashkimit të forcave të LVV-së me komunitetet joserbe, që siç dihet kanë 10 vende të garantuara në Parlamentin e Kosovës. Partitë kryesore opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të koalicionit me LVV-në, si dhe kanë shprehur gatishmërinë për formim të një qeverie së bashku.
Njohësit e çështjeve politike paralajmërojnë se në ditët dhe javët në vijim, Kosova rrezikon që të përballet me trazira politike dhe kjo për shkak të thellimit të ndasive mes partisë në pushtet e atyre në opozitë.