Katër kandidatët për kryeministër të Kosovës iu bënë thirrje qytetarëve, të votojnë në zgjedhje, që të vendosin se kush do të udhëheqë në katër vitet në vijim. Ata janë Albin Kurti i Vetëvendosjes, njëherazi kryeministër aktual, si dhe Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë.
Ditë e re dhe mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. I falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë votuar deri tani dhe inkurajoj çdonjërin që të votojë. Ushtrojeni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet, përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për katër vitet e ardhshme, tha kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në këtë ditë të demokracisë, ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre dhe Republikës së Kosovës për katër vitet e ardhshme. Eshtë ditë feste, për ne si LDK, për popullin e Kosovës zgjedhjet janë gjithmonë festë, deklaroi kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
I lus të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të zgjedhur qeverinë për katër vitet e ardhshme. Uroj që gjithçka të shkojë mirë, besoj se gjithçka do të shkojë mirë dhe në fund sovrani vendos, vuri në dukje kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve dilni të votoni, vota juaj ka vlerë vetëm në kuti dhe Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbara dhe suksese, tha kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Zgjedhjet e sotme, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 e që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, shihen si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe është vënë në përpjekje për një mandat tjetër.
Për një muaj, partitë politike bënë fushatë me zotimet për rritje pagash e pensionesh, përmirësim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore e për të luftuar papunësinë.