Prej orëve të mëngjesit, njësitet e specializuara të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës vijojnë operacionin e kërkim-shpëtimit për 33-vjeçarin e cili ra të dielën në liqenin e Ujmanit. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bën të ditur se janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të emigrantit në liqenin e Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.

Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, shkruan Maqedonci në Facebook, krahas fotove nga ky operacion.

Të dielën pasdite, 33-vjeçari u hodh në liqenin e Ujmanit dhe nuk u pa më në sipërfaqe. Deri më tani ende nuk ndonjë gjurmë të tij. Zbarkimi i trupave të FSK-së në veriun e banuar me shumicë serbe mund të zbatohet vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it, në bazë të një zotimi që është bërë në vitin 2013 nga Qeveria e Kosovës dhe NATO.