Rajoni

KQZ: 80% e të regjistruarve në diasporë votuan për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se 80.1% e pjesëtarëve të diasporës kanë votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se në përfaqësitë diplomatike kanë votuar 15.352 qytetarë ndërsa me postë, 68.712. Megjithatë, ai ka tërhequr vërejtjen që kjo përqindje mund të ndryshojë, pas procesit të vlerësimit të votave që janë pranuar me postë.

Mbi 2 milion shtetas të Kosovës kanë pasur të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Në mesin e tyre kanë qenë edhe 104.924 votues nga diaspora. Ky ka qenë procesi i parë zgjedhor kur pjesëtarëve të diasporës u është mundësuar votimi në 19 përfaqësi diplomatike në të gjithë botën. Elezi ka thënë se numërimi i votave nga diaspora do të nisë të bëhet pas disa ditësh në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.

Sipas rezultateve paraprake, pas numërimit të mbi 90% të votave, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më shumë se 40%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22%, Lidhja Demokratike e Kosovës me afro 17% dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, rreth 7%.

Një partie i duhen 61 vota të deputetëve në Kuvend për të formuar Qeverinë e re. Aktualisht asnjëra parti nuk i ka ato. Forcat politike që aktualisht janë në opozitë kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për të formuar qeverinë. Analistët vlerësojnë se në ditët, javët ose edhe muajt në vijim, Kosovën e presin turbulenca politike.