Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore për votimet e pjesshme të 9 nëntorit 2025. Materialet e nevojshme po shpërndahen në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë ku përfshihen fletët e kutitë e votimit, proces-verbalet, si dhe dhomat e fshehtësisë e të gjitha materialet e tjera që garantojnë zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me Kodin Zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar dy ditë më parë edhe testimin operacional të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI) që do të përdoren në zgjedhjet e pjesshme të së dielës. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, u përzgjodhën rastësisht 3% e pajisjeve nga KQZ-ja, që do të përdoren në zgjedhjet për kryetar bashkie në 5 qytete, për të simuluar procesin e hapjes, mbylljes dhe identifikimit të votuesit.
Simulimi i procesit në këtë test operacional verifikon elementët si: nëse një votues i përket asaj qendre votimit, nëse një votues tenton të votojë më shumë se një herë apo nëse një votues është në qendrën e gabuar të votimit e të tjera, si edhe sinjalet vizuale dhe akustike që jep pajisja për rastet e tilla.
Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 472 qendra votimi në 5 bashki, të cilat sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
Në ditën e votimit, zgjedhësi do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.