Në Shqipëri, Lulzim Basha i propozoi qeverisë një plan ekonomik në mbështetje të qytetarëve e bizneseve në kushtet e luftës me koronavirusin.
Kreu demokrat kërkon të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore. Gjithashtu, në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për 2-muaj. Mes propozimeve është dhe përjashtimi nga tatim-fitimi për 6-mujorin e parë të vitit e të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur. Gjithashtu, pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë e të ujit për të gjithë konsumatorët familjarë nën minimumin jetik e biznese të vogla e të mesme aty ku Covid-19 është shfaqur. Ndër të tjera, demokratët propozojnë të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e gjendjes.
Propozimet e kreut demokrat vijojnë me përjashtimin nga kamatvonesat e gjobat për 3 muaj, periudhë për të cilën kërkojnë dhe përjashtim nga taksa e pronës e tarifat vendore në zonat me koronavirus. Ndër të tjera, Opozita sugjeron furnizimin me ushqime e detergjentë të familjeve në pamundësi ekonomike e mundësi për të furnizuar me ushqime të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë më të rrezikuarit për të dalë në rrugë.
Kryeministri Rama hodhi poshtë propozimet e demokratëve dhe shkruan: “Ky plani 7×7=42 qenka lule corone! Me këtë i bie t’ia bluajmë vetë kockën vendit dhe t’u hamë fëmijëve gjithçka, më shpejt se sa vetë corona synon t’u marrë frymën më të moshuarve! Hajde plan hajde! Nuk thonë kot vesi del me shpirtin, s’ka coronë që e nxjerr! pffff…ç’maskaradë!”.
Atyre që pyesin për planin ekonomik të daljes nga kjo krizë humanitare, kryeministri iu ka kërkuar të bëjnë pak durim e se iu duhen dhe disa ditë. Duke kujtuar tërmetin, Rama thekson rëndësinë për t’i bërë gjërat hap pas hapi, që të mund të shkojnë në destinacion. “Kini besim se çfarë është në mundësitë e kësaj toke, nuk do të mbetet pa u bërë”, – nënvizon kreu i qeverisë.