Kur dëgjojmë fjalën “krijimtari”, mendja na shkon menjëherë te artistët, shkrimtarët apo muzikantët. Por një valë e re studimesh psikologjike po thekson se krijimtaria nuk është privilegj i të talentuarve, përkundrazi, është një mjet i fuqishëm për mirëqenie mendore dhe emocionale, në çfarëdo forme që shfaqet.
Sipas një studimi të publikuar në revistën “The Journal of Positive Psychology”, pjesëmarrësit që u angazhuan në aktivitete të vogla kreative si vizatimi, shkrimi në ditar, përgatitja e ushqimeve me dekor ose fotografimi për pesë ditë radhazi raportuan nivele më të larta të entuziazmit dhe përmbushjes emocionale.
Pse funksionon krijimtaria e përditshme?
- Shkëput trurin nga autopiloti, veprimet kreative kërkojnë vëmendje dhe ndihmojnë në ndërprerjen e cikleve të mendimeve të lodhshme.
- Forcon ndjenjën e kontrollit, kur krijon diçka, qoftë edhe një poezi të shkurtër apo një pjatë të kuruar, truri e përjeton si një akt që tregon “unë kam ndikim mbi botën time”.
- Rrit vetëvlerësimin, krijimi përkthehet në përmbushje dhe ndjesi identiteti.
Nuk ka rëndësi nëse rezultati final është “i bukur” apo i denjë për Instagram. Ajo që ka rëndësi është procesi, akti i të bërit diçka për kënaqësinë e vetes.
Ide për krijimtari të përditshme:
- Mbaj një ditar ilustrimesh apo fjalësh frymëzuese.
- Provo gatim intuitiv me përbërës që ke në shtëpi.
- Krijo kolazhe ose pikturo me ngjyra uji për relaksim.
- Bëj fotografi të jetës së përditshme me një këndvështrim artistik.
- Dizenjo plane jave, journaling ose dekorime të vogla ambienti.
Në një botë që na mëson të jemi gjithmonë produktivë, të jesh krijues për veten është një formë rezistence. Një çast për të marrë frymë, për të ndjerë, për të qenë. Sepse ndonjëherë, një skicë e thjeshtë mund të bëjë më shumë për mendjen se një ditë e tërë pushimi.