Do të ndalemi në një histori që thënë pak, është frymëzuese. Një udhëtim mes artit, talentit, uljeve dhe ngritjeve, nisur nga një qytezë shumë e vogël në Itali. Nga ajo qytezë e qetë, lindi një djalë që fillimisht ëndërronte prapa skenës, si producent, ndërkohë që gjithë vendi ishte i magjepsur nga baladat tradicionale. E megjithatë, ai solli një tingull ndryshe, dhe me një këngë që askush nuk e priste, pushtoi klasifikimet dhe zemrat e miliona njerëzve.
Pas melodive të tij fshiheshin edhe rrëfime të pathëna, plagë të thella dhe një udhëtim i brendshëm që do ta ndryshonte përgjithmonë. Një histori të mbushur me sekrete, sfida dhe fitore që do ta ngrinin një djalë të zakonshëm në një nga figurat më të ndjera të muzikës italiane moderne.
Ky është rrëfimi i Tiziano Ferros.

Fillimet (1980–2001)
Tiziano Ferro lindi më 21 shkurt 1980 në Latina, një qytet i qetë pak kilometra larg Romës. Një vend i njohur për Festivalin e Teatrit dhe për rrugët e tij të thjeshta, larg zhurmës së metropoleve italiane. Në atë skenë modeste, do të rritej një djalë i ndrojtur, me shumë pasiguri, por me një dhunti që do ta nxirrte përtej kufijve të qytetit të lindjes. Ai jetonte me nënën Giuliana dhe babanë Sergio, dhe më vonë do të bëhej vëlla i madh për Flavio-n. Një familje e zakonshme, por me një djalë që nuk do të mbetej i zakonshëm.

Që fëmijë, Tiziano u përball me peshën e vetmisë. Në shkollë shpesh ndihej i lënë mënjanë, i përjashtuar nga shoqëria e bashkëmoshatarëve. Do të kujtonte më vonë se vuante nga një mungesë e thellë vetëbesimi, që do ta ndiqte gjatë viteve adoleshente. Por në këtë boshllëk, në këtë qetësi që i dukej e rëndë, lindi pasioni që do të bëhej shpëtimi i tij: muzika.

Një lodër e thjeshtë, një tastierë plastike që i dhuruan për Krishtlindje kur ishte vetëm shtatë vjeç, u bë dritarja e tij drejt një bote tjetër. Me atë instrument të thjeshtë nisi të shkruante meloditë e para. Dhe ndërsa shumë fëmijë moshatarë ëndërronin të bëheshin futbollistë apo aktorë, Tiziano krijonte këngë që për të ishin si ditarë sekretë. Kur të tjerët e shihnin si një djalë të qetë, ndoshta edhe të pasigurt, ai e gjente forcën përmes tingujve. U regjistrua në mësime muzike, mori leksione pianoje e kitareje, dhe gradualisht mësoi të shfrytëzonte instrumentet për të shprehur gjendjet që nuk arrinte t’i përkthente dot në fjalë.

Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, iu bashkua një kori gospel, një përvojë që do ta formonte vokalisht dhe shpirtërisht. Në të njëjtën kohë, nisi të performonte në piano-bare e në konkurse karaoke – ambiente të vogla, por të mjaftueshme për të mësuar si të qëndronte para publikut, si të shkrihej me muzikën, si të bënte njerëzit të ndalonin e të dëgjonin. Por rruga drejt suksesit ishte gjithçka, veçse e lehtë. Në vitin 1997, vetëm 17 vjeç, mori pjesë për herë të parë në Accademia della Canzone di Sanremo, një konkurs që për shumë artistë ishte trampolinë drejt Festivalit të madh të Sanremos. Nuk arriti të kalonte fazën e parë, ama shumë të tjerë do të kishin hequr dorë, por jo Tiziano. Ai rikthehet vitin pasardhës.

Kësaj here arrin të futet mes 12 finalistëve, por përsëri nuk fitoi. Për të ishte një zhgënjim, por gjithashtu edhe një takim i rëndësishëm me fatin: gjatë këtyre përzgjedhjeve ai njohu dy producentë të njohur, Alberto Salerno dhe Mara Maionchi. Ata do të bëheshin mentorët e parë të vërtetë në karrierën e tij. Mara dhe Alberto panë tek Tiziano diçka më shumë sesa një djalë që dinte të këndonte. Ata panë potencialin e një autori, një kompozitori që nuk i druheshte eksperimentimit. Nën kujdesin e tyre, Tiziano filloi të kuptonte se muzika nuk ishte vetëm ëndërr, por një zanat, një art që kërkonte disiplinë dhe guxim.

Dhe ndërkohë që përpiqej të hynte në botën e muzikës, në vitin 1999 u bashkua si vokalist mbështetës në turin e grupit të famshëm të hip-hop-it italian, ‘Sottotono’. Ishte përvoja e parë e vërtetë në skenë të madhe, me dritat që i binin përballë, me duartrokitjet që nuk ishin më të pakta. Dhe në vitin 2001, më në fund erdhi çasti i madh. Nënshkroi kontratën e parë diskografike me EMI Music Italy. Më 22 qershor doli singli debutues, “Xdono”.

Fillimisht nuk pati sukses të menjëhershëm. Por si çdo histori e bukur, edhe kjo kishte nevojë për kohë që të rritej. Brenda pak muajsh, kënga u kthye në një sensacion. Në shtator 2001 pushtoi klasifikimet italiane dhe u certifikua dy herë me platin. Refreni i saj u këndua në makina, në radio, në festa dhe për herë të parë, emri i Tiziano Ferros po bëhej pjesë e jetës së përditshme të miliona njerëzve. Pas suksesit të singlit, në tetor doli albumi debutues, “Rosso Relativo”.

Dhe aty, vetëm 21 vjeç, Tiziano kaloi nga piano-barët e vegjël dhe konkurset e refuzuara, drejt klasifikimeve ndërkombëtare. Albumi u përkthye edhe në spanjisht me titullin “Rojo Relativo”, duke hapur dyert për tregjet në Spanjë dhe Amerikën Latine. Një djalë nga Latina, me një tastierë lodër në duar, kishte arritur të pushtonte një botë që as nuk e kishte imagjinuar dikur. Kjo është bukuria e fillimeve: ato duken të parëndësishme kur ndodhin, por në retrospektivë, janë çastet që formojnë gjithçka. Dhe për Tizianon, rrugëtimi nga fëmijëria e pasigurt, në konkurset ku u refuzua, deri tek suksesi i parë me “Xdono”, është prova që ëndrrat më të mëdha shpesh lindin aty ku askush nuk i pret.
Fama dhe ngritja ndërkombëtare (2002–2006)
Në fund të vitit 2001, Italia kishte zbuluar një zë të ri. Por viti 2002 do të ishte viti kur ky zë nuk do të mbetej më vetëm italian. “Rosso Relativo” shpejt kaloi kufijtë e vendit, duke hyrë në tregjet evropiane dhe më pas në Amerikën Latine me versionin spanjoll, “Rojo Relativo”. Ishte një hap i guximshëm: një këngëtar italian që këndonte në spanjisht për të zgjeruar audiencën. Për Tizianon, kjo nuk ishte thjesht strategji tregu; ishte shprehje e asaj që ai gjithmonë kishte ëndërruar – të bënte muzikë që mund të kuptohej nga të gjithë, pavarësisht gjuhës.
Albumi nuk ishte thjesht një koleksion këngësh, por një manifestim i një stili të ri. Përziente pop-in italian me elemente R&B dhe soul, një tingull që rrallë dëgjohej në atë kohë nga një artist italian. Kritiket e lavderuan këtë prodhim, duke e parë Tizianon si një artist që sillte diçka ndryshe në panoramën evropiane. “Xdono” tashmë këndohej në Spanjë, Meksikë dhe Argjentinë po aq sa në Milano apo Romë. Dhe kjo shënoi hapin e parë drejt një fenomeni ndërkombëtar.
Në vitin 2003, Tiziano nuk e la suksesin të ftohej. Ai publikoi albumin e dytë, 111 (Centoundici), dhe njëkohësisht versionin spanjoll, 111 Ciento once. Këto dy albume e katapultuan karrierën e tij në maja shume te larta profesionale. Shitjet ishin marramendëse: rreth 450,000 kopje vetëm në Itali dhe mbi 1 milion në botë. Ishte një shifër e rrallë për një artist italian të kohës.

Ky album nuk e konsolidoi atë thjesht si një fenomen të rastësishëm; ai tregoi se Tiziano ishte një yll me qëndrueshmëri. Singli i parë, “Perverso” në italisht dhe “Xverso” në spanjisht, e futi menjëherë në top 10. Por ishte “Sere nere” dhe versioni i saj spanjoll “Tardes negras” që e shndërroi në një ikonë ndërkombëtare.
Kënga pushtoi klasifikimet në Itali, u transmetua fuqishëm në Spanjë, dhe arriti të futet në Billboard Hot Latin Songs në Shtetet e Bashkuara – një arritje që pak artistë italianë e kanë shijuar. Në ato vite, tingujt e Tizianos ishin duke ndërtuar një urë mes Evropës dhe Amerikës Latine.
Dhe bota nisi ta njohë jo vetëm si një këngëtar, por si një figurë përfaqësuese të Italisë moderne. Në vitin 2004, në MTV Europe Music Awards, ai u shpall Best Italian Act. Një çmim i madh që e bëri zërin e tij pjesë të një familjeje më të gjerë evropiane të pop-it. Nuk ishte më thjesht një djalë që këndonte nga Latina; ishte një ambasador i muzikës italiane në skenën botërore.

Në të njëjtin vit, erdhi edhe një moment që lidhi karrierën e tij me historinë e sportit botëror. Tiziano u bashkua me këngëtaren britanike Jamelia për të regjistruar “Universal Prayer”, këngën zyrtare të Lojërave Olimpike të vitit 2004, në Athinë. E prodhuar nga Stargate, kënga doli #1 në Itali dhe Spanjë, dhe u transmetua gjatë gjithë verës në mbarë Evropën. Ishte një mesazh i fuqishëm: arti i tij nuk kishte kufij. Ishte globalisht i përhapur dhe në unitet.
Ky sukses tregoi se Tiziano nuk kishte frikë të hynte në bashkëpunime të mëdha dhe të merrte pjesë në ngjarje historike. Ishte një artist që e dinte se çdo këngë mund të ishte më shumë se muzikë — mund të ishte mesazh, mund të ishte simbol. Në këtë pikë, fama e tij nuk ishte më vetëm muzikore, por kulturore.
Në vitin 2006, ai publikoi albumin e tretë, “Nessuno è solo”. Ky ishte një hap tjetër drejt maturimit artistik. Singli kryesor “Stop! Dimentica” shpërtheu menjëherë, duke arritur në vendin e parë në Itali dhe Austri. Albumi u certifikua diamant në Itali dhe shiti mbi 1.5 milion kopje globalisht. Kritikët e përshkruan si më intim, më melankolik, duke zbuluar një anë të re të Tizianos – jo thjesht atë të popstarit, por edhe autorin e brishtë. Ama me famën, erdhi edhe rreziku.

Në kulmin e dashurisë që Amerika Latine kishte për të, ndodhi një incident që do ta lëndonte thellë. Gjatë një interviste në Itali, Tiziano bëri një koment të pakujdesshëm për gratë meksikane. Një frazë që për të mund të ishte thjesht shaka, por që u mor si fyerje diskriminuese.
Rezultati ishte tragjik: radiot në Meksikë dhe disa vende të tjera refuzuan të transmetonin këngët e tij, fansat u larguan, dhe prania e tij në një treg ku kishte investuar aq shumë, u rrëzua. Ky episod tregoi se sa e brishtë është ura mes një artisti dhe publikut. Një fjalë e pakujdesshme mund të fshijë muaj, madje vite pune. Për Tizianon, kjo ishte një plagë që nuk u shërua lehtë. Por ishte gjithashtu një pikë kthese: ai e kuptoi se fama nuk është vetëm të këndosh, por edhe të jesh i vetëdijshëm për çdo fjalë që thua.
Megjithatë, edhe mes kësaj krize, “Nessuno è solo” dëshmoi se karriera e tij kishte themele të forta. Publiku evropian e përqafoi albumin, këngët e tij pushtuan klasifikimet, dhe Tiziano mbeti një figurë e dashur për miliona fansa. Në Itali, ai ishte kthyer në një nga artistët më të rëndësishëm të gjeneratës së tij. Vitet 2002–2006 ishte periudha ku Tiziano Ferro u bë shumë më tepër se një këngëtar. Ai ishte një fenomen ndërkombëtar, një zë që këndohej në dy gjuhë, një ikonë e re e Italisë moderne, por edhe një artist që përjetoi për herë të parë thikën me dy tehe të famës: suksesin marramendës dhe rrezikun e humbjes.

Sfida personale dhe rritja artistike (2007–2012)
Pas suksesit të “Nessuno è solo”, Tiziano Ferro në vitin 2007 ishte një nga emrat më të fuqishëm të Italisë. Por fama nuk kishte zbutur plagët e tij të brendshme. Në intervista të rralla ai pranonte se adoleshenca e tij kishte qenë e shënuar nga depresioni dhe bulimia — një betejë që kishte nisur kur ishte vetëm trembëdhjetë vjeç dhe që për vite do ta gërryente nga brenda. Suksesi, për njëfarë kohe, dukej si ilaç, por shpejt u kuptua se ishte thjesht një maskë.
Ky është momenti kur muzika fillon të marrë një ton tjetër. Në vitin 2008 ai publikon “Alla mia età”, një album që mbetet një nga veprat më të fuqishme të karrierës së tij. Titulli është rrëfim i drejtpërdrejtë: “Në moshën time” — një reflektim mbi pjekurinë, mbi jetën që nuk është më e lehtë, mbi barrët që mbart çdo ditë.

Albumi debutoi direkt në vendin e parë në Itali dhe shiti mbi 500,000 kopje, duke u bërë albumi më i shitur i vitit. Në Spanjë dhe Amerikën Latine, versioni spanjoll A mi edad solli një tjetër sukses, duke forcuar lidhjen e tij me fansat jashtë Italisë. Tekstet e këtij albumi ishin ndryshe. Në këngë si “Il regalo più grande”, “Alla mia età” dhe “Indietro”, publiku gjeti një njeri që nuk kishte më frikë të shfaqte dhimbjen, të fliste për gabimet, të pranonte dobësinë. “Il regalo più grande” u bë një himn për dashurinë pa kushte, një baladë që fansat shpesh e përdornin për të shprehur emocionet më intime.
Në versionin spanjoll “El regalo más grande”, ai bashkëpunoi me artistë të njohur latinë si Anaí dhe Dulse María, duke hyrë edhe më thellë në tregun latin. Albumi solli edhe bashkëpunimin e parë të madh ndërkombëtar në anglisht. Me Kelly Rowland, anëtare të grupit Destiny’s Child, ai regjistroi këngën “Breathe Gentle” — një version alternativ i këngës “Indietro”. Ky duet u transmetua në stacione ndërkombëtare, duke e bërë Tizianon një nga të paktët artistë italianë që arrinin të shfaqeshin krah për krah me yje të muzikës perendimore.

Por përtej skenës, jeta e tij personale po bëhej gjithnjë e më e rëndë. Në vitin 2008, ai u zhduk për një periudhë të gjatë nga dritat publike, duke pranuar se ishte në krizë të thellë personale. Për një artist që tashmë shitej në miliona kopje, ky ishte një paralajmërim se fama nuk shëron gjithçka. Ai e pranoi se shpesh i duhej të luftonte me ndjenja të turpit dhe pasigurive që i kishin mbetur nga fëmijëria dhe adoleshenca. Në 2010, ai bëri një nga hapat më të rëndësishëm të jetës së tij: publikisht deklaroi homoseksualitetin. Për Italinë konservatore të asaj kohe, kjo ishte një deklaratë tronditëse.
Ai nuk e bëri për bujë, por për transparencë, duke thënë:
“Jam gati të jetoj jetën time në dritë, pa fshehje, pa frikë.”
Ky moment e bëri atë një figurë të fuqishme jo vetëm muzikore, por edhe përfaqesuese, duke hapur rrugë për shumë të rinj që deri atëherë nuk kishin pasur një model të tillë në skenën e madhe italiane.
Në të njëjtin vit ai botoi autobiografinë e tij të parë,“Trent’anni e una chiacchierata con papà”. Një libër ku për herë të parë tregoi hapur për betejën me buliminë, për depresionin dhe për vitet e errëta që e shoqëruan në rini. Ky ishte një rrëfim i dhimbshëm, por i nevojshëm, dhe e ngriti Tizianon në një tjetër nivel: nga këngëtar pop në zë të sinqeritetit dhe vulnerabilitetit.

Pastaj, në vitin 2011, erdhi albumi “L’amore è una cosa semplice”. Një tjetër kryevepër, që u shndërrua në albumin më të shitur në Itali për vitin 2012. Me këngë si “La differenza tra me e te”, “Hai delle isole neli occhi” dhe baladën me kitarë “Per dirti ciao!”, Tiziano tregoi se arti i tij kishte kaluar në një fazë tjetër. Ky album fliste për dashurinë në të gjitha format e saj: të bukurën, të humburën, dhe atë që mbetet pas.

“La differenza tra me e te” qëndroi për javë të tëra në krye të klasifikimeve italiane. Në versionin spanjoll “La diferencia entre tú y yo”, kënga u bë një hit i madh në Amerikën Latine. Ishte një tjetër provë e forcës së tij si një artist ndërkombëtar. Albumi përmbante gjithashtu një version të këngës “Karma” të Seal, të interpretuar si duet me artistin britanik, një tjetër shembull i aftësisë së Tizianos për të ndërthurur botë të ndryshme muzikore.
Në 2012, ai nisi një turne madhështor, që e çoi në stadiume dhe arena të mëdha në Itali dhe jashtë saj. Kulmi ishte koncerti në Stadio Olimpico në Romë, ku mbi 50,000 njerëz kënduan bashkë me të çdo varg. Ishte dëshmia që ai kishte kaluar përfundimisht nga skenat intime të piano-barëve të rinisë, në spektakle që mbushnin stadiume.

Periudha e viteve 2007 deri 2012 ishte ajo kur Tiziano Ferro nuk ishte më thjesht një artist italian pop-i. Ishte një kantautor që kishte guxuar të hapte plagët e tij, të tregonte vulnerabilitetin, të futej në tregje të huaja me sukses, dhe të rritej artistikisht duke përfshirë bashkëpunime të nivelit ndërkombëtar. Ishte periudha kur ai mësoi të mos fshihej më dhe të kthehej në një zë të fuqishëm për sinqeritetin në muzikë. Një periudhë e dhimbshme, por e domosdoshme. Nga betejat personale tek sukseset ndërkombëtare, kjo ishte epoka që i dha Tiziano Ferros peshën dhe autenticitetin që e shoqërojnë edhe sot.
Dhe muzika e tij, në këtë periudhë, nuk ishte më vetëm zbavitje: ishte dëshmi, ishte terapi, ishte rrëfim.
Të pranosh mrekullitë (2013–2020)
Pas vitit 2013, karriera e Tiziano Ferro-s hyri në një kapitull të ri. Një periudhë ku jo vetëm muzika, por edhe jeta e tij private do të merrnin përmasa krejt të tjera. Gjithçka nisi fuqishëm në vitin 2014 me TZN – The Best of Tiziano Ferro.

Nuk ishte thjesht një përmbledhje nostalgjike, por një projekt që përqafoi gjithë historinë e tij artistike deri në atë moment. Përfshinte mbi 30 këngë nga repertori i tij, plus katër këngë të reja. Albumi u bë një fenomen. Ishte ndër më të shiturit e vitit në Itali dhe qëndroi javë të tëra në krye të klasifikimeve. Por nuk munguan surprizat: këngë si ‘Senza scappare mai più’ – e para ku ai i këndoi hapur dashurisë për një burrë – dhe ‘Incanto’, një baladë e ëmbël që u kthye menjëherë në himn radiofonik. Publiku kuptoi se Tiziano ishte gati të hapte një kapitull të ri artistik e personal.
Kjo nuk ishte vetëm për të shënuar një fund kapitulli, por edhe për të hapur një tjetër. Një tjetër që shpërtheu në vitin 2016 me ‘Il mestiere della vita’. Albumi i gjashtë në karrierën e tij, i punuar me kujdes të madh dhe me një tingull shumë më të modernizuar. Aty shohim një Tiziano krejt të rifreskuar. “Potremmo ritornare” ishte një baladë melankolike që emocionoi publikun, ndërsa “Lento/Veloce” u bë një nga kolonat zanore të verës. Albumi kombinonte introspektivitetin klasik të Tizianos me elementë elektronikë dhe ritme të shpejta, duke treguar se ai dinte të evoluonte pa humbur ADN-në e tij muzikore.
Përfundimi? Publiku e shpërbleu. Albumi pushtoi klasifikimet italiane, ndërsa “Il mestiere della vita Tour” i vitit 2017 tregoi se ai ishte një nga të paktët artistë italianë që mund të mbushte stadiume si San Siro në Milano apo Olimpico në Romë. Mbi gjysmë milioni spektatorë ndoqën turneun, një rekord i jashtëzakonshëm.

Nuk ishte vetëm Italia. Tiziano vazhdoi me sukses edhe versionet spanjolle të albumeve, duke përfshirë “El oficio de la vida”, duke forcuar lidhjen e tij me publikun e Spanjës dhe Amerikës Latine. Ky dyfishim i vazhdueshëm e bëri atë një nga të paktët artistë italianë me një karrierë vërtet ndërkombëtare. Por ndoshta kulmi i këtij kapitulli vjen në vitin 2019, me publikimin e “Accetto Miracoli”. Një album që titullin e ka rrëfim. Me prodhim të Timbaland, ai solli një tingull ndërkombëtar dhe më të pasur me ritme urbane. ‘Buona (Cattiva) Sorte’ u bë një hit i menjëhershëm, ndërsa balada “Accetto Miracoli” preku zemrat e miliona dëgjuesve.
Është e pamundur të flasësh për këtë periudhë pa përmendur edhe jetën personale të Tizianos. Po në vitin 2019, ai u martua me Victor Allen, një ish-konsulent i Warner Bros. Dy ceremoni – një në Los Anxhelos, një tjetër në Sabaudia të Italisë – që u kthyen në lajm të madh ndërkombëtar. Jo vetëm sepse ishte Tiziano Ferro, por edhe sepse kjo ishte një deklaratë e fuqishme për dashurinë dhe lirinë personale.

Është interesante si muzika dhe jeta private u gërshetuan. “Accetto Miracoli” nuk ishte vetëm një album i suksesshëm; ishte një dëshmi e një njeriu që më në fund ndjehej i plotësuar, i hapur, i lirë. Në tekstet e tij kishte më shumë dritë, më shumë shpresë, edhe pse melankolia e zakonshme nuk mungonte. Pas shumë vitesh ku jeta e tij private kishte qenë një enigmë, ai zgjodhi transparencën. Dhe kjo e bëri edhe më të dashur, edhe më të besueshëm. Një ngjarje kjo që na dërgon në 2020-ën, në pikën më kulminante të atij viti: “Accetto miracoli: l’esperienza degli altri”. Një publikim që nuk ishte i zakonshëm.

Një rilançim i albumit të mirënjohur i cili përfshinte këngë ikonike të repertorit italian të interpretuara nga Tiziano me një stil personal, nga “Rimmel” e Francesco De Gregori-t deri te “Nel blu dipinto di blu” e Modugno-s. Ishte një akt respekti dhe dashurie ndaj trashëgimisë muzikore që e kishte formuar, por njëkohësisht një pasqyrim i tij përmes zërave të të tjerëve. Është e jashtëzakonshme si Tiziano nuk u ndal. Përveç muzikës, ai vazhdoi të kultivonte edhe anën e tij si autor, duke reflektuar mbi përvojat e tij në libra dhe intervista. Kjo periudhë nuk e bëri vetëm një këngëtar më të madh, por edhe një figurë publike më të kompletuar.
Mund të themi se vitet 2013–2020 ia gdhendën emrin në historinë e muzikës italiane. Një artist që mbush stadiume, që dominon klasifikimet, që guxon të thyejë tabu dhe që flet pa filtra për jetën e tij. Një Tiziano më i hapur, më i pjekur, më universal. Një njeri që pranoi mrekullitë e tij dhe i ndau me të gjithë.
Disa prej këngëve të albumit shoqërues fillimisht u menduan të ishin për projekte ndërkombëtare, por më pas u përshtatën për repertorin italian.
Sot dhe e ardhmja (2021–2025)
4 vitet e fundit shënuan hyrjen e Tiziano Ferrros në një laborator artistik të ri, të ndikuar thellësisht nga ngjarjet familjare. Viti 2022 ishte momenti kur artit iu shtua frymëzimi i paprecedentë i atësisë.

Dhe ky frymëzim u kristalizua menjëherë. Pas lindjes së Margherita dhe Andres në shkurt te 2022-shit, ai publikoi albumin “Il mondo è nostro” (në Nëntor të po atij viti). Ky album ishte më shumë se një projekt: ishte një pasqyrë e qetësisë së gjetur, me tekste që eksploruan maturinë dhe dashurinë e pamposhtur, duke vendosur një standard të ri në diskografinë e tij.

Muzika e tij nuk humbi kontaktin me skenën masive. Përkundrazi, ai e ruajti dinamizmin. Kënga “Destinazione Mare” (Maj 2023) ishte pikërisht ajo urë, një këngë ritmike që i hapi rrugën triumfit të padiskutueshëm të “TZN Tour 2023” në stadiume. Ky ishte zëri i tij i fundit i gëzuar dhe masiv, para se të shpallte kthesën private.
Krijimtaria iu desh t’i përshtatej realitetit të ashpër. Kur shpërtheu kriza martesore në shtator te 2023-shit, i ndjekur nga divorci zyrtar në mars te 2024-ës, Ferro e quajti atë një “zi”, duke e kthyer dhimbjen në një akt mbrojtës për fëmijët. Megjithëse u detyrua të anulonte angazhimet publike në Itali për shkak të betejës ligjore, zëri i tij u duk se artistik ndryshoi formë.
Në vend të albumit, ai zgjodhi një medium tjetër për të shprehur thellësitë e tij: letërsinë. Në tetor 2023, ai debutoi si romancier me veprën “La felicità al principio”. Ky hap tregoi se kapaciteti i tij për të rrëfyer historinë ishte i pavarur nga zhanri. Gjithashtu, bashkëpunimi i vitit 2024 “Feeling” me Elodie ishte një lëvizje strategjike, duke ndërlidhur trashëgiminë e tij si kantautor me zhanrin modern pop, duke shmangur izolimin artistik.

2025 për të ishte si viti i restaurimit. Publikimi i këngës “Cuore Rotto” (Zemër e Thyer) nuk reflektoi thjesht një baladë divorci. Është zëri i pranimit dhe shërimit, një manifest se dhimbja mund të shndërrohet në mençuri. Nëse albumet e mëparshme flisnin për gjetjen e paqes, kjo këngë flet për rikrijimin e saj pas humbjes. Si përmbledhje, kjo periudhë u luhat mes suksesit kulmor muzikor dhe krizës personale. Tiziano Ferro u detyrua të zbulonte një mënyrë tjetër për të qenë artist: ai u bë një figurë që e vendosi mirëqenien e fëmijëve mbi lavdinë e legjendës, duke përdorur krijimtarinë si ditarin e tij të autenticitetit dhe forcës së re.
Reflektimi përfundimtar
Muzika e Tizianos ka një forcë që të kap menjëherë; tingujt dhe tekstet e tij tërheqin ndjenja që shpesh nuk dimë si t’i shprehim. Ajo që e bën të veçantë është sinqeriteti. Ai nuk frikësohet të tregojë brishtësinë, dhimbjen apo momentet e pasigurisë, duke i kthyer ato në art. Çdo këngë duket sikur rrjedh nga përvoja e tij personale, por arrin të flasë te të gjithë ne. Ai nuk këndon thjesht për vete; lidhet me audiencën, duke e bërë çdo interpretim të ndjerë dhe të gjallë. Dhe kjo është arsyeja pse ndjekësit e tij ndihen kaq të lidhur. Muzika e tij flet për pranimin, shërimin dhe transformimin. Ajo që mbetet është ndikimi që lë.
Në fund, ai është më shumë se një këngëtar: është një përshkues i emocioneve, një tregues se muzika dhe jeta personale mund të bashkohen për të krijuar një gjurmë të paharrueshme.
Një pasqyrim i krijimtarisë së tij ndër vite:
“Imbranato”
‘Imbranato’, një nga perlat e para të Tiziano Ferros. Tregon historinë e një djali të turpshëm, që nuk di si të shprehë ndjenjat e tij. Në një farë mënyre, kjo pasqyron edhe vetë Tizianon e asaj kohe: i pasigurt në jetë, por i qartë vetëm kur vinte puna te dashuria dhe muzika. Dhe pikërisht ky sinqeritet e bëri publikun ta donte që në fillim.
“L’Olimpiade”
Kjo këngë nuk flet për sport, siç mund të mendohet nga titulli. ‘L’Olimpiade’ është një metaforë për garën e ndjenjave, për emocionet që shpesh i përjetojmë si një maratonë. Me ritmin e saj më energjik, kjo këngë tregoi se Tiziano nuk ishte vetëm mjeshtër i baladave të trishta, por edhe i tingujve më ritmikë e të gjallë.
“Non me lo so spiegare”
Një nga baladat më të fuqishme të tij, që përfaqëson kalimin e Tizianos nga fenomen i menjëhershëm në një autor serioz, me tekste të thella. Kënga u bë një nga hitet e para të Tizianos që kaloi kufijtë dhe u përkthye edhe në spanjisht, “No me lo puedo explicar”, duke fituar një sukses të madh në Meksikë, ku ai jetoi për disa vite për të përmirësuar spanjishten e tij.
“Stop! Dimentica”
“Stop! Dimentica” u bë një himn i verës në vitin 2006 dhe u përdor shpesh si kolonë zanore në emisione televizive italiane të asaj kohe.
“Alla mia età”
Për të hyrë në këtë kapitull të ri, nuk mund të ketë zgjedhje më domethënëse se kënga ‘Alla mia età’. Një baladë që flet për dhimbjen, barrat emocionale dhe të vërtetat që ai nuk i fshehu më. Pikërisht aty fillon transformimi i tij si artist dhe si njeri.
“La differenza tra me e te”
Kënga qe qëndroi për javë të tëra në vend të parë të klasifikimit italian dhe hapi rrugën për albumin “L’amore è una cosa semplice”, i cili u bë albumi më i shitur i vitit 2012.
“Destinazione mare”
Gjatë regjistrimit të kësaj kënge, Tiziano dëshironte që tingulli të ndihmonte fansat të ndjejnë “erën e detit” edhe pa qenë në plazh. Ai përdori efekte zanore që krijojnë ndjesinë e hapësirës dhe lëvizjes.
“Il mondo é nostro”
Lindi si një deklaratë personale pas pandemisë, fillimisht intime, por në studio mori formën e një himni plot energji, me mesazhin se dashuria dhe bashkimi mund ta bëjnë botën më të mirë.
“Feeling – Elodie”
Tiziano ka rrëfyer se bashkëpunimi me Elodie nisi nga një bisedë spontane në studio. Ai ishte i impresionuar nga energia e saj dhe vendosi ta shtonte vokalisht në mënyrë që të dilte një dialog muzikor mes tyre, jo thjesht një duet klasik.
“Cuore Rotto”
Kënga është e bazuar në përvojat e tij personale pas divorcit, por Tiziano e ka thënë se ishte e rëndësishme ta interpretonte si një mesazh shërimi dhe forcimi, jo vetëm dhimbjeje. Në regjistrim, ai përdori teknika vokale që zakonisht nuk i përdor për të transmetuar më shumë ndjeshmëri dhe intimitet.