Aktualitet

Merr fund arratia e Gerd ‘Gjeneralit’, arrestohet në Belgjikë vrasësi i Naim Zyberit

Gerd Gjinarari, i njohur ndryshe si Gerd Gjenerali dhe i konsideruar si një nga figurat më të spikatura të botës së krimit në Shqipëri, është vënë në pranga nga autoritetet belge.

Lajmi konfirmohet nga gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat. Gjinarari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi mbi të rëndonte një dënim me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane për eliminimin e Naim Zyberit, një tjetër emër i njohur i botës krimit në Tiranë gjatë viteve ’90.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në vitin 1997 në ambientet e një spitali në Milano, ku Zyberi ndodhej për kurim.

Hetimet zbuluan se Gjinarari, së bashku me Arben Grorin, arritën të futeshin në dhomën e tij duke u shtirur si familjarë të të plagosurit. Ata e kryen ekzekutimin duke përdorur një armë zjarri, të cilën e mbanin të fshehur në një buqetë me lule. Gjykata italiane e dënoi Gjinararin me burgim të përjetshëm për këtë krim, ndërsa në vitin 2014 ai u ekstradua drejt Shqipërisë për të vuajtur këtë dënim.

LEXO EDHE: Interpol Tirana prangos në Angli 5 shqiptarë “Wanted” me kartela të kuqe, Top Channel zbulon skedat e tyre kriminale!

Në vitin 2019, Gjykata e Korçës vendosi ta lironte atë me kusht, një hap që provokoi debate të shumta dhe reagime të ashpra në publik. Ky vendim u përmbys më vonë nga Gjykata e Apelit, e cila urdhëroi që ai të kthehej në qeli për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit të përjetshëm. Megjithatë, Gjinarari iu shmang ekzekutimit të këtij vendimi dhe u largua, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar. Tashmë, pas prangosjes së tij në Belgjikë, pritet të nisin procedurat për ekstradimin e tij.

LEXO EDHE: Ndërtoi një kat pa leje në shtëpinë e babait të tij, përfundon nën arrest efektivi i policisë së Sarandës