Kreu i SPAK, Altin Dumani u pyet edhe për krimet zgjedhore. Teksa raportoi në KLP, ai tha se në faqen e hapur për krimet zgjedhore, ka pasur raportime për raste konkrete.
Dumani vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme, policinë dhe KQZ për këtë çështje.
“Kemi dërguar prokurorë dhe hetues në qendrat e qarqeve, janë në bashkëpunim të ngushtë dhe komunikim të përditshëm me Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Policinë e Shtetit me qëllim marrjen e informacioneve në kohë reale, vlerësimin e informacioneve në kohë reale se ku do të adresohet në SPAK apo Prokurorinë e Përgjtihshme dhe më tej edhe ndjekjes penale. Kemi krijuar në faqen zyrtare një model denoncimi nga publiku, ku kemi pasur raportime për raste konkrete dhe vlerësohen nga një grup pune i ngritur nga SPAK për herë të parë.
LEXO EDHE: Puna e SPAK-ut gjatë 2024-ës, Altin Dumani raporton në KLP!
Duhet evidentuar dhe është e qartë angazhimi i tre institucioneve, i SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme, dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në qarqet ku ushtrojnë kompetencë si dhe KQZ. Kemi nënshkruar jo vetëm dokumentin që rregullon bashkëpunimin mes tre institucioeve por kemi caktuar persona konkretë për shkëmbimin e informacionit për tre agjencitë. Jemi në komunikim të drejtpërdrejtë dhe i kënaqur nga bashkëpunimi me Prokurorinë dhe KQZ. Jemi të angazhuar në drejtim të parandalimit dhe më tej edhe të ndjekjes penale”, tha Dumani.
Kreu i SPAK, Altin Dumani u pyet edhe për marrëdhëniet me policinë e shtetit.
Ai tha se bashkëpunimi me policinë ka qenë i mirë, por shtoi se ka nevojë për përmirësim. Duke komentuar punonjësit e policisë që kanë rezultuar të përfshirë në grupe kriminale, ai tha se nuk bëhet pis gjithë Policia e Shtetit.
“Raporti me policinë e shtetit është i mirë. Ne bashkëpunojmë me ta, me fazën e ekzekutimit të veprimeve penale, por edhe gjatë hetimit paraprak, jo në çdo çështje. Ka çështje që i kemi angazhuar oficerët e policisë në kryerjen e çështjeve të hetimeve që ndjekim. Ka vend për t’u përmirësuar, siç rezulton nga hetimet, edhe gjatë 2024, kemi pasur procedime penale që janë hetuar arrestuar punonjës të policisë së shtetit të lidhur me krimin e organizuar, pjes të grupeve kriminale, funksionarë të nivelit të mesëm apo të lartë të policisë të përfshirë në krim, siç ka pasur raste edhe për prokurorë apo edhe gjyqtarë. Por patjetër, ky fakt që janë proceduar punonjës të policisë për vepra penale të ndryshme, qoftë për krim të organizuar apo korrupsion, nuk bën pis të gjithë policinë e shtetit. Kemi një bashkëpunim të mirë por ka nevojë për përmirësim.”, u shpreh Dumani.