Kryeprokurori i Posaçëm, Klodian Braho, vlerësoi bashkëpunimin mes SPAK dhe KQZ gjatë zgjedhjeve të vitit 2025, duke e cilësuar atë si një nga elementët më të rëndësishëm në luftën kundër krimeve zgjedhore.
Braho tha se prania e Task Forcës së SPAK-ut dha rezultate konkrete dhe krijoi një bazë më të mirë për identifikimin e rasteve me risk të lartë.
“Bashkëpunimi rezultoi një nga elementët më të rëndësishëm në vitin 2025. SPAK dhe KQZ ishin më të koordinuara dhe ky efekt parandalues është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ai.
Sipas Brahos, mekanizmi i bashkëpunimit duhet të nisë më herët në zgjedhjet e ardhshme, të paktën katër muaj para ditës së votimit, dhe të vijojë deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave.
Kryeprokurori i Posaçëm theksoi se korrupsioni zgjedhor nuk duhet të trajtohet si një veprim i izoluar individual, pasi në shumë raste blerja e votës lidhet me struktura më të gjera organizimi dhe financimi.
“Fokusi te zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë te burimi i financimit. Hetimet nuk duhet të kufizohen vetëm te personat që kryejnë veprimin, por edhe te ata që e financojnë dhe e organizojnë atë”, deklaroi Braho.
Ai nënvizoi se modeli i bashkëpunimit të aplikuar në zgjedhjet e vitit 2025 funksionoi, por duhet të konsolidohet më tej, ndërsa reforma zgjedhore, sipas tij, duhet të prodhojë rezultate konkrete për rritjen e transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor.
Ai propozoi gjithashtu një qasje më të diferencuar në individualizimin e dënimeve, duke ndarë qartë rolin e personave të përfshirë në krime zgjedhore: nga zgjedhësit vulnerabël, te përfaqësuesit e subjekteve politike, kandidatët, shtabet elektorale, financuesit e fushatave, zyrtarët publikë dhe nëpunësit e administratës.
Sipas tij, sa më i lartë të jetë roli organizues, politik apo financiar i një personi në një skemë të krimit zgjedhor, aq më i fortë duhet të jetë edhe reagimi penal i shtetit.
Braho nënvizoi se vetëm një qasje e tillë e diferencuar mund të rrisë efektivitetin e ndëshkimit dhe të ketë efekt real parandalues ndaj shkeljeve të integritetit zgjedhor.
Ai solli në vëmendje edhe raportet e OSBE/ODIHR-it, të cilat sipas tij kanë evidentuar vazhdimisht shqetësime për shitblerjen e votës, presionin ndaj zgjedhësve dhe administratës publike, përdorimin e burimeve shtetërore dhe financimin e fushatave zgjedhore.
Duke u ndalur tek të dhënat, Braho theksoi se gjatë periudhës 2021-2025, SPAK ka administruar gjithsej 233 materiale zgjedhore, nga të cilat 157 janë regjistruar si procedime penale.
“Në vitin 2021 u regjistruan 63 procedime penale, në vitin 2022 u regjistruan 5 procedime penale, në vitin 2023 u regjistruan 36 procedime penale, në vitin 2024 u regjistruan 7 procedime penale, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 46 procedime penale. Për vitin 2026, deri më sot, janë regjistruar 2 procedime penale”, tha ai.
Braho theksoi se këto shifra tregojnë se krimi zgjedhor shfaqet me intensitet më të lartë gjatë viteve zgjedhore, por hetimi i tij nuk kufizohet vetëm në periudhën e fushatës apo në ditën e votimit.
“Së dyti, një pjesë e konsiderueshme e punës së SPAK lidhet me vlerësimin fillestar të kompetencës, me dallimin ndërmjet shkeljes administrative dhe faktit penal, me verifikimin e burimit të informacionit dhe me identifikimin e rasteve ku ekzistojnë elemente konkrete për regjistrimin e procedimit penal.
“Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se kjo qasje prodhoi një volum të lartë pune dhe një bazë të gjerë informacioni. Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u administruan 194 materiale, sinjalizime, kallëzime, referime dhe informacione të lidhura me dyshime për krime zgjedhore”, tha ai.
Sipas Brahos, origjina e këtyre materialeve tregon një ndryshim të rëndësishëm.
“Në vitin 2025, nga 46 procedime penale të regjistruara, 47.8 për qind janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit dhe 23.9 për qind janë nisur kryesisht nga SPAK, ndërsa 28.3 për qind ka ardhur nga kallëzime të shtetasve, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, subjektet politike dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve”, tha Braho.
Sipas Brahos, ndryshimi kryesor në vitin 2025 ishte qasja proaktive e SPAK, i cili nuk priti vetëm kallëzimet, por punoi për të identifikuar më herët rreziqet dhe për të koordinuar informacionin në funksion të hetimeve.
“Dallimi kryesor i vitit 2025 ishte se institucioni nuk priti vetëm ardhjen e kallëzimeve. Ai u përpoq të lexojë riskun më herët, të koordinojë informacionin më shpejt dhe të orientojë reagimin sipas kompetencës dhe provave. Fakti që 23.9 për qind e procedimeve janë nisur kryesisht nga SPAK është tregues i rëndësishëm.
“Nga totali i procedimeve të regjistruara në vitin 2025, 5 procedime me 9 të pandehur janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, 9 janë dërguar me kërkesë për pushim, 5 janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, 1 është pezulluar, 4 janë bashkuar me procedime të tjera dhe 22 mbeten në hetim deri më sot”, tha Braho.
Braho bëri të ditur gjithashtu se gjatë vitit 2026 janë dënuar 7 persona për vepra që prekin zgjedhjet, duke treguar se ecuria gjyqësore e këtyre çështjeve vazhdon edhe pas përfundimit të ciklit zgjedhor.
“Në grupin e rasteve të analizuara, mesatarja e dënimit me burgim është rreth 13 muaj dhe një pjesë e konsiderueshme ka përfituar nga alternativat e dënimit me burgim. Kjo tregon se efekti parandalues i sanksionit penal mund të mos jetë gjithmonë në përputhje me peshën e fenomenit dhe të ndikimit që këto vepra kanë mbi integritetin e procesit zgjedhor.
“Për këtë arsye, një nga çështjet që mund të vlerësohet në kuadër të reformës është rishikimi i politikës penale, si në raport me masën e dënimit, ashtu edhe në raport me profilin dhe rolin e autorit në skemën e korrupsionit zgjedhor. Ky rishikim nuk duhet të jetë as i përgjithshëm, as mekanik. Ai duhet të diferencojë zgjedhësin, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik”, tha Braho.