Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani raporton në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP mbi punën e institucionit që drejton. Prezantimin e raportit të vitit të kaluar e që është depozituar në Kuvend, po e ndjekin edhe përfaqësues të ambasadës amerikane e një prokuror i OPDAT-it. Dumani e nisi me një falenderim ndaj KLP-së si i vetmi institucion që i ka mbështetur në sulmet ndaj SPAK-ut. Por, pavarësisht sfidave, tha se vijuan punën.
I vetmi institucion që ka reaguar në mbrojtje të SPAK-ut, me ngjarjet me të cilat jemi ballafaquar më 2024-ën, por edhe gjatë 2025-ës. Pavarësisht sfidave, s’e kemi ndaluar punën duke shënuar arritje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
18.8% rritje të procedimeve penale për krimin e organizuar krahasuar me 2023-shin.
Në lidhje me krimin e organizuar, gjatë 2024-ës pësuan trend rritës çështjet e hetuara e të përfunduara. 18.8% rritje të procedimeve penale krahasuar me 2023-shin. Një rritje me 35% vërehet edhe me hetimet e përfunduara krahasuar me 2023-shin. Ka një përmirësim të vazhdueshëm në përfundimin e hetimeve. Gjatë 2024-ës janë nën hetim 33 ish-zyrtarë të lartë, dy prej tyre në dy procedime të ndryshme secili. Ndërkohë, për 10 funksionarë të lartë, ka pasur vendime të formës së prerë.
Ka rënie të numrit të kallëzimeve nga ana e Policisë së Shtetit, që janë referuar në SPAK. Nga 65 në 30 çështje, e krahasuar nga 2023-shi më 2024-ën, ranë denoncimet e Policisë së Shtetit. Vitin e kaluar u regjistruan 327 procedime të reja. 2018 çështje të përfunduara, me 18% rritje në krahasim me 2023-shin. Ulje e nisjes së hetimeve për kallëzimet e nisjes së hetimeve nga Policia.
Gjithashtu, Dumani theksoi rritjen e përqindjes së sekuestrimeve e konfiskimeve të pasurive të krimit dhe korrupsionit. Ndërkaq, rrëzoi njoftimet mbi përqindjen e lartë të të paraburgosurve në qeli, duke thënë se “është vetëm 9,7% e në standard ndërkombëtar”.
Përveç hetimeve penale, nga ana e SPAK-ut nis edhe hetimi i pasurisë. Ka shënuar rritje me 59,7% procedimi i çështjeve dhe goditjeve. 65,5 milion euro janë sekuestruar më 2024-ën, në krahasim me 41 milion në vitin 2023.
Për masat e sigurimit , u shpreh:
Nga mbi 2 mijë të paraburgosur, mbi 200 janë të SPAK-ut. 165 persona janë dënuar pas procedimeve të SPAK-ut. Ka përfunduar gjykimi i themelit për 54 çështje. Për të tjerat vijon hetimi. 79 vendime penale të formës së prerë janë ekzekutuar.
Krahas raportit vjetor, me interes priten përgjigjet e kreut të SPAK-ut ndaj pyetjeve të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP.