Aktualitet

Krimet zgjedhore, Dumani: Procedime penale për zyrtarë të lartë e grupe kriminale!

Altin Dumani dha detaje të goditjeve të Prokurorisë së Posaçme ndaj krimeve elektorale. Në tryezën për Reformën Zgjedhore, numri një i institucionit informoi se SPAK-u ka administruar 192 materiale lidhur me dyshime për krime zgjedhore. 43 prej tyre janë regjistruar si procedime penale.

Integriteti i zgjedhjeve është temë e gjerë që kërkon bashkëpunim shumëpalësh, por do të fokusohem në hapat proaktivë të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme.

Së pari, nisja e hetimeve të shpejta në prag të zgjedhjeve të përgjithshme e gjatë fushatës zgjedhore, përfshirë këtu edhe rolin aktiv që ka luajtur Prokuroria e Posaçme, duke regjistruar 9 procedime penale kryesisht. Së dyti, vendosja e prioritetit të ndjekjes penale kur flitet për zyrtarë të lartë apo përfshirjen e grupeve kriminale në proceset elektorale dhe së treti, bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit e të tjera institucione për të koordinuar një regjim proaktiv si një front i vetëm kundër shkeljeve zgjedhore.

Janë administruar 192 materiale gjithsej që lidhen me dyshime për krime zgjedhore. Nga këto, 43 materiale kallëzuese janë regjistruar si procedime penale, pra e kanë kaluar fazën e hetimit. Për 43 u vendos mosfillimi i hetimit për mungesë të elementëve të veprës penale, 40 të tjera u dërguan për kompetencë pranë prokurorive të rretheve gjyqësore apo drejtorive të policisë. 22 materiale u dërguan në polici për verifikim shtesë dhe 17 materiale janë bashkuar me ekzistueset, si dhe një pjesë janë në proces verifikimi. Nga 43 procedime penale të regjistruara për krime zgjedhore, 22 janë inicuar në bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, një procedim është referuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Gjithashtu, kreu i SPAK-ut vuri në dukje se prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë ushtruar kontrolle personale, të banesave e në zyra. Sipas Dumanit, gjatë kontrolleve u sekuestruan prova e dokumente të rëndësishme që do i shërbejnë procesit të hetimit.

Janë ushtruar disa kontrolle në banesa dhe zyra personale. U ekzekutuan 20 vendime gjykate për lejim kontrolli të ambienteve e personave të ndryshëm, u sekuestruan prova e dokumente të rëndësishme që do i shërbejnë procesit të hetimit. Sfidat nuk janë të pakta, referuar materialeve të partive të politike depozituar në SPAK. Kallëzimet e tyre kanë qenë të paplota.