Policia e Shkodrës zbardhi krimin e 27 shkurtit 2025, kur në oborrin e banesës u vra 20-vjeçari Pavlin Preka. Pas hetimeve u vunë në pranga autorët e dyshuar, Klaudio Lisaj e Vasel Koçeku. Këta shtetas akuzohen për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”. Si rezultat i punës policore dhe hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, zbardhet vrasja e shtetasit P.P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re.
Kapen dhe vihen në pranga dy shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pesha e krimit”, vihen në pranga shtetasit K.L dhe V.K.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP-së Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit P.P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re, u finalizua operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
K.L., 20 vjeç, banues në fshatin Mgull;
V.K., 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, për veprat penale:
“Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.