Aktualitet

Vrasja e Ilir Gjinit në Laç, autorët e qëlluan kur zbriti nga makina!

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i mbrëmjes së djeshme në lagjen “Erdogan” në Laç ku mbeti i vrarë Ilir Gjini.

Viktima që njihej gjithashtu me 3 mbiemra të tjerë, Kokaj, Lika e Nure, është qëlluar me shtatë plumba. Autorët kanë hapur zjarr menjëherë pasi 40-vjeçari kishte parkuar automjetin e tij, ndërsa po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte.

Edhe pse ka tentuar të largohet, u ndoq dhe u qëllua sërish pranë hyrjes së godinës. Gjini ndërroi jetë gjatë transportimit në spital pasi nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në kuadër të hetimeve, disa persona janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.

Grupi hetimor po punon për të dokumentuar dinamikën e ngjarjes, ndërsa një nga pistat kryesore që po verifikohet lidhet me të kaluarën dhe konfliktet e mundshme të viktimës.