Lifestyle

Krishtlindje pa kontakt: pse gjithnjë e më shumë të rinj zgjedhin të mos i takojnë prindërit gjatë festave!

Janë gjithnjë e më të shumtë në Itali ata që vendosin të ndërpresin marrëdhëniet me prindërit. “Nuk është egoizëm, por një strategji mbijetese”, tregojnë ata që e kanë bërë këtë zgjedhje. Por psikoterapistja paralajmëron: “Familja është palestra e konfliktit, nuk duhet shmangur apriori”.

Në Itali po rritet numri i personave që zgjedhin të shkëpusin raportet me prindërit. Dhe as festat nuk i bashkojnë.

Vendimi, shpesh i dhimbshëm por i vetëdijshëm, për të mos parë e për të mos festuar më familjen e origjinës lind nga nevoja për t’u distancuar nga marrëdhënie të përjetuara si toksike.

Krishtlindja, me ngarkesën e saj simbolike të ndjenjave dhe ritualeve, kthehet në pikën e thyerjes me familjen dhe në fillimin e një zgjedhjeje për mbrojtjen e vetes, ende e stigmatizuar, por gjithnjë e më e rrëfyer.

Duke kërkuar hashtagun #nocontact, historitë e këtij lloji të ndara në rrjet janë të shumta, shenjë e dukshme e një fenomeni që edhe në Itali po merr hov. Në Shtetet e Bashkuara tashmë përfshin rreth një person në gjashtë.

“Unë endoja se e urreja Krishtlindjen, por në fakt problemi ishte ta kaloja me të mitë”, tregon Valentina Tridente, content creator nga Parma, 42 vjeçe, një nga të paktat që ka vendosur të flasë hapur për zgjedhjen për të ndërprerë kontaktet me një prind. Por të rrëfesh vendimin për të shkëputur lidhjen më të shenjtë, atë mes prindërve dhe fëmijëve, nuk është e lehtë dhe sjell me vete një ortek reagimesh që nxjerrin në pah një tabu ende të fortë: “Nëse ndahesh nga një partner toksik, të gjithë të thonë se bën mirë. Nëse ndahesh nga një prind që të manipulon ose të kontrollon, je një fëmijë mosmirënjohës”, thotë Valentina Tridente për la Repubblica.

Në rastin e saj, nuk ka qenë një vendim i papritur: “Më është dashur një jetë e tërë për të arritur deri këtu. Nuk u zgjova një mëngjes duke thënë ‘sot kaloj në no contact’. Nuk kam pasur kurrë një marrëdhënie të shëndetshme: fëmijëri e tmerrshme, adoleshencë e vështirë, pastaj si e rritur largime dhe rikthime të vazhdueshme”. Para se ta mbyllte përfundimisht marrëdhënien, tregon se u përpoq të shpjegohej: “E telefonova, pastaj i shkrova një mesazh të gjatë. I thashë: nuk të urrej, por nuk ia dal dot më”.

Elisa Stefanati, psikoterapiste EMDR, e specializuar në terapinë familjare thotë: “Festat e amplifikojnë shqetësimin, mes mbledhjeve të detyruara, pritshmërive, pyetjeve për punën, çiftin, fëmijët. Nuk është festë, kthehet në një provim”.