Bota

Kritike situata në Afganistan, njerëzit janë duke “luftuar” për bukën e gojës!

Prej disa ditësh, institucionet bankare po qëndrojnë të mbyllura në Afganistan teksa vendi është nën kontrollin e talebanëve. Nuk ka para brenda bankomateve, nuk ka banka të hapura dhe nuk ka zyra të Western Union, aty ku njerëzit nga jashtë mund të transferojnë para.

Si rrjedhojë, është thuajse e pamundur të dërgosh para në Afganistan. Njerëzit thonë se po u mbarojnë kursimet. Qytetarët në Kabul dhe qytetet e tjera janë në ankth për të ardhmen, teksa mijëra prej tyre janë dyndur drejt aeroportit, për t’u larguar me avionët e evakuuimit.

Një ish-marinar, i cili tani drejton një qendër shpëtimi të kafshëve në Kabul, tha për “BBC” se nuk mund të paguajë stafin e tij dhe njerëzve po u mbaron ushqimi. Veterani shprehu zemërimin ndaj Britanisë dhe Amerikës për braktisjen e civilëve të pafajshëm afganë ndaj regjimit “mesjetar” të talebanëve.

Boris Johnson duhet të ketë turp absolut për atë që ka bërë. Atij duhet t’i kenë bërë presion amerikanët për të bërë një tërheqje të rregullt. Unë kam një pasaportë britanike dhe mund të largohem. Por asnjë nga ekipi im afgan ose populli i zakonshëm afgan nuk mund ta bëjë këtë.

Bashkëshortja e tij Kaisa Farthing u largua nga vendi pasi situata u përkeqësua dhe është e frikshme situata për anëtarët e stafit të saj femra nën një regjim taleban.

Vajzat kanë dëgjuar histori nga të afërmit e tyre në qytetet e tjera të luftëtarëve talebanë që trokasin në dyer dhe pyesin nëse familjet kanë vajza të pamartuara, Një vajzë tha se do të vriste veten në vend që të martohej me një Luftëtar taleban. Ajo ka gati një thikë.

Ndërkaq, programi i “BBC Radio 4’s Today” ka kontaktuar një profesoreshë e cila aktualisht është fshehur në Kabul. E pyetur se si ka ndryshuar jeta që kur Talebanët kontrollojnë Kabulin, ajo tha se çdo aspekt ishte i ndryshëm. Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden nga ana tjetër është zotuar se do të sjellë në shtëpi çdo amerikan që dëshiron të largohet nga Afganistani.