Rajoni

Kriza energjetike, liderët e Ballkanit Perëndimor takim online për bashkëpunim!

Liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, më 8 korrik, kanë mbajtur një takim online për intensifikimin e bashkëpunimit në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, si dhe janë pajtuar për një takim të Grupit punues për çështjet e energjisë.

Siç ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram, ai dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski, u pajtuan për një takim të Grupit punues për bashkëpunim në fushat e energjisë dhe sigurisë ushqimore dhe financave, që do të mbahet në Tiranë në mes të korrikut.

Takimi i sotëm, siç u tha, i është kushtuar intensifikimit të bashkëpunimit me qëllim të tejkalimit të përbashkët të vështirësive për furnizimin me ushqime dhe energji.

Gjithashtu, liderët e “Ballkanit të Hapur” diskutuan për takimin e ardhshëm dhe panairin e verës dhe ushqimit që do të mbahet në Beograd, në shtator, organizuar nga nisma “Ballkani i Hapur”.