Në podcast-in “Flasim”, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë ndaluar vizat për Shqipërinë. Shefi i qeverisë shpjegoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që për 75 vende të botës të bëhet “një pezullim i përkohshëm sa i përket lejeve të punës. Jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë”.
Sipas kryeministrit Edi Rama kjo shkon me linjën e presidentit Trump. Për këtë arsye, Rama theksoi se çdo aludim se Amerika ndaloi vizat për Shqipërinë është dezinformim.
Për kripë, jo për ëmbëlsirë, dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që në përjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës e të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithëve atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë. Kjo është e pavërtetë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, kanë vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë.
Kjo është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të presidentit Trump dhe që nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm.