Aktualitet Rajoni

Kryeministri Rama thirrje për lirimin e policëve të Kosovës/Rama: Kosova ka përpara një mundësi të artë!

Në konferencën për shtyp me homologun hungarez, Viktor Orban, i cili ndodhet në Tiranë, kryeministri Rama bëri thirrje për lirimin e tre policëve kufitarë të Kosovës, si një nevojë imediate. Më tej, vuri në dukje se vendi duhet të kapë mundësinë e artë që po i ofrohet nga ndërkombëtarët.

Që nga sekonda e parë e daljes së lajmit, jemi angazhuar nga të katër anët për lirimin e tre punonjësve të policisë. Debati mbi shkeljen apo mos’shkeljen është me rëndësi në nivelin e marrëdhënieve shtetërore, por nuk ka asnjë rëndësi për tre burra që janë larg shtëpisë së tyre e duhet të kthehen menjëherë. Debati ishin këtej apo andej dhe konkluzionet mund të vazhdojnë. Me rëndësi është se ata nuk mund të mbahen për shkelje kufiri se nuk kanë bërë asnjë krim, edhe nëse presupozojmë se kanë bërë shkelje. I pajustifikueshëm ndalimi dhe mbajtja e tyre.

Rama theksoi se “zgjidhja e krizës në veri të Kosovës vjen përmes dialogut”.

Paqja është në tryezë, dokumenti i marrëveshjes është aty dhe mundësia historike është në tryezë, për të mbyllur një kapitull të gjatë e të dhimbshëm e për të hapur një kapitull të ri e për ta bërë Kosovën të njohur ndërkombëtarisht, edhe nga Serbia.

Kryeministri Rama e konsideroi si mundësi të madhe dhe moment aq të rëndësishëm për Kosovën, “sa gjithë të tjerat janë produkt i një devijimi të panevojshëm nga fokusi”.

Fokusi është te marrëveshja në tryezë. Bashkësia euroatlantike i ka dhënë Kosovës një mundësi të artë, gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë. Unë nuk e kam përvojën e Orbanit, por e them me plot gojën se ajo marrëveshje dhe mundësia e artë, nuk mund të jenë aty përgjithmonë. Pastaj hyjmë në një tjetër kohë të gjatë në histori, ku mund të mos ketë zgjidhje. Unë jam 100% i fokusuar te kjo zgjidhje. Të tjerat mund të jenë pilula ekzaltimi për ata që e shohin veten si patriotë në luftëra imagjinare, por nuk sjellin asgjë veç humbjes së kohës e të mundësisë.

Vetëm dy javë më parë, Shqipërinë e vizitoi presidentja e Hungarisë, Katalin Novak. Në fokus të takimit me homologun Bajram Begaj ishin zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, plagosja e ushtarëve të KFOR-it, mes të cilëve disa hungarezë. Gjithashtu u fol për procesin e integrimit të Shqipërisë e Ballkanit Perëndimor, por edhe për thellim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Sipas të dhënave të INSTAT-it e Bankës së Shqipërisë, numri i kompanive hungareze në Shqipëri është dyfishuar që nga viti 2015.