Kryeministri hungarez Orban në Tiranë, takim me Ramën, i cili e quan Hungarinë “avokate të Ballkanit Perëndimor në BE”.
Eshtë vizita e një miku të vjetër e të palëkundur të Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha kohët. Falë kryeministrit Orban e përkushtimit të ministrit të Jashtëm, si dhe të qeverisë së tij, kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve tradicionale e miqësore, por tani edhe ekonomike.
Përveçse vizita e një miku të çmuar, kjo është dhe një vizitë për të vazhduar në atë rrugë të re bashkëpunimi që hapi një fazë të re pas vizitës së delegacionit tonë atje, ku u vendosën disa piketa, mbi të cilat ne po vazhdojmë të bashkëpunojmë e falë të cilave po shohim rezultate të prekshme.
Hungaria është një nga avokatet më të zëshme të Ballkanit Perëndimor në BE dhe një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e Unionit.
Hungaria e ka mbrojtur vijimësisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kjo mbështetje nuk ka qenë vetëm më fjalë, por me ekspertizë të vënë në dispozicion të qeverisë tonë. Ne ndajmë të njëjtën bindje me kryeministrin dhe qeverinë e Hungarisë lidhur me interesin e lartë gjeostrategjik të integrimit sa më shpejt të Ballkanit Perëndimor. BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, siç ka nevojë Ballkani Perëndimor për BE-në.
I jam mirënjohës për faktin se Orban është shtytësi kryesor i investimeve të drejtpërdrejta hungareze në Shqipëri. Duam të kemi më shumë kompani. Kemi folur për të sjellë më shumë investime nga Hungaria në fushën e energjisë e shpresoj shumë dhe në fushën e turizmit. Ne besojmë shumë se është koha për të menduar edhe për investime nga Hungaria, e cila sot ka një industri ekselence në turizëm.
Për kryeministrin e Hungarisë, Orban është “e turpshme” që procesi i zgjerimit po ecën ngadalë.
Çështja e sotme është si mund të konsiderojmë Ballkanin Perëndimor dhe anëtarësimin e vendeve në Europë? Eshtë problem apo mundësi? Ajo që u kam thënë kolegëve të mi në Europë është: përpiquni të imagjinoni Europën sot pa Slloveninë, Hungarinë, Poloninë, Kroacinë. Si do të ishte pamja e Europës së sotme? Zhvillimi ekonomik? Nuk do të kishim rritje ekonomike.
Mendoj se sot në BE kemi rritje ekonomike sepse në vendet e BE-së dhe të Europës Qendrore e Lindore kemi sjellë zhvillim. Shpresoj ta sjellin dhe Shqipëria e vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse Shqipëria ka kapacitet rritjeje e zhvillimi.
Nëse Europa nuk do të ngelet pas në këtë ecje e zhvillim global, përgjigjja është e thjeshtë: rezervat e rritjes janë ekskluzivisht në Ballkan. Nuk gjenden në vendet e tjera të Europës. Nuk jam në gjëndje të përmend asnjë vend europian që ka rezerva në rritje e zhvillim. Ne gjithnjë kërkojmë që Shqipëria të anëtarësohet në BE. E turpshme sa ngadalë po ecën ky proces i zgjerimit në Union.