Bota

Kryeministri spanjoll: Tarifat e Trump janë kthim në shekullin e 19-të!

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka folur me gjuhë të ashpër kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur tarifa të reja, duke e përshkruar atë si “të paprecedentë” dhe duke thënë se tarifat e reja amerikane janë “kthim në shekullin e 19 “.

Reagimi i kryeministrit spanjoll, erdhi pasi ai njoftoi një paketë të re mbështetjeje prej 14.1 miliardë dollarësh për ekonominë spanjolle, në përgjigje të lëvizjes së administratës Trump.

Sanchez argumentoi se Evropa duhet të përgjigjet me një gamë të plotë kundërmasash, të cilat do të përfshijnë tarifa dhe sanksione të tjera ekonomike.

Në të njëjtën kohë, ai propozoi krijimin e fondit të ndihmës evropiane , i cili do të financohet nga të ardhurat që do të dalin nga tarifat e vendosura nga BE-ja në Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë veçanërisht të ashpër, të raportuar nga Reuters, kryeministri spanjoll theksoi se “Evropa tani është nën sulmin tregtar nga Perëndimi, ndërsa po përballet me një sulm ushtarak nga Lindja”, duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi sot (3 prill) se SHBA-ja do të vendosë një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ai njoftoi gjithashtu për tarifa më të larta për dhjetëra vende që kanë suficit tregtar me Shtetet e Bashkuara, duke rritur rrezikun për një luftë tregtare dhe rritje të inflacionit.

Ndaj mallrave të importuara nga Kosova është vendosur tarifë prej 10 për qind, ndaj atyre nga Shqipëria 10 për qind, Serbia 37 për qind, Bosnia e Hercegovina 35 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 33 për qind.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ndaj importeve nga Kina do vendoset tarifë prej 34 për qind, ndaj atyre nga Bashkimi Evropian 20 për qind, Korea e Jugut 25 për qind dhe Japonia 24 për qind.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë u thanë gazetarëve se tarifa bazë prej 10% do të hyjë në fuqi më 5 prill, ndërsa tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi pas një jave, më 9 prill.

Trumpi shpalli emergjencë ekonomike kombëtare për t’i zbatuar tarifat, të cilat pritet të prodhojnë qindra miliarda dollarë të ardhura vjetore.