Një gjyqtar federal në SHBA ka vendosur që komunikimet mes Blake Lively dhe mikes së saj të ngushtë, Taylor Swift, lidhur me atmosferën në setin e filmit “It Ends With Us”, duhet të dorëzohen si prova në procesin gjyqësor mes Lively dhe aktorit Justin Baldoni.
Sipas “Variety” dhe “BBC”, gjyqtari Lewis Liman ka konsideruar se këto mesazhe janë të rëndësishme për të qartësuar pretendimet që Lively ka ngritur ndaj Baldoni-t dhe studios së tij, duke e akuzuar për ngacmim seksual dhe për drejtimin e një fushate për të shkatërruar reputacionin e saj.
Avokatët e Lively kishin kundërshtuar kërkesën, duke argumentuar se bisedat me Swift nuk kanë lidhje me çështjen. Megjithatë, gjykata vendosi se, për sa kohë Lively ka deklaruar që Swift kishte dijeni për shqetësimet në ambientin e punës, kërkesa për të parë komunikimet është e justifikuar.
Ky vendim vjen pasi Baldoni, i cili e kishte paditur Lively-n për shpifje — një padi që u rrëzua javën e kaluar — dhe ekipi i tij kishin tentuar më herët të merrnin mesazhet direkt nga Swift përmes thirrjes zyrtare (subpoena).
Kjo përpjekje u tërhoq pasi avokatët e Swift e cilësuan si një “gjueti të pajustifikuar për prova”.
Në një deklaratë për “Billboard”, zëdhënësit e Lively thanë se ajo ka dorëzuar “shumë më tepër dokumente” në këtë çështje se sa Baldoni dhe akuzuan aktorin për përpjekje të vazhdueshme për të përfshirë emrin e Swift në mënyrë të padrejtë.
Baldoni ka kërkuar që nga vera e kaluar të përfshijë Taylor Swift në këtë çështje, për të devijuar vëmendjen nga akuzat serioze për ngacmim dhe hakmarrje, të cilat ai dhe kompania e tij po përballen
-thuhet në deklaratë.
Gjyqtari Liman sqaroi se shqetësimi i Lively se kjo është një manovër publicitare nuk mjafton për të penguar marrjen e provave që mund të jenë të vlefshme për gjykimin e çështjes.