Kulla Eifel do të mbetet e errët sonte në nder të Papa Françeskut, vdekja e të cilit u njoftua sot nga Vatikani.
Kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo , në njoftimin përkatës, thekson se do të propozojë që një lokacion në kryeqytetin francez të emërtohet me emrin e tij.
Siç thotë Hidalgo në deklaratën e saj, ajo nderon angazhimin e Françeskut “për një kishë që shtrihet tek më të cenuarit”, vullnetin e tij për të vendosur “ekologjinë në qendër të shqetësimeve shpirtërore dhe sociale” dhe thirrjet e tij për “pritjen e refugjatëve”.
Papa Françesku ndërroi jetë sot ndërsa periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin në mëshirë, në drejtësinë sociale dhe kujdesin mjedisor. Më 2015-ën, Papa Françesku publikoi “Laudato si”, ku bënte thirrje për veprim global për të luftuar ndryshimet klimatike e për kujdes ndaj ambientit.
Rëndësi i kushtoi edhe dialogut ndërfetar, duke nënshkruar Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, bashkë me imamin e Al-Azharit në Egjipt, Ahmed el-Tayebin, më 2019-ën, një marrëveshje e rëndësishme për promovimin e paqes dhe bashkekzistencës mes besimeve të ndryshme.
Papa Françesku u njoh për thirrjet për “një Kishë të varfër për të varfrit” dhe për afrim me komunitetet e margjinalizuara. Po ashtu bëri përpjekje për të reformuar sistemin financiar të Vatikanit e për të adresuar abuzimet seksuale të klerikëve brenda institucionit të Kishës.
Më 2025-ën publikoi autobiografinë “Shpresa”, duke ofruar më shumë hollësi për jetën e tij dhe misionin. Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa probleme shëndetësore. Më 2021-shin, iu nënshtrua një operimi në zorrën e trashë e më 2023-shin pati një tjetër ndërhyrje në abdomen.