Papa Françesku ndërroi jetë sot në moshën 88 vjeçare. Sipas njoftimit nga Vatikani, “në orën 07:35 minuta të mëngjesit u kthye te Shtëpia e Atit”.
Në orën 07:35 të mëngjesit të sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit ndaj Zotit dhe kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve e më të margjinalizuarve. Me mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ne lutemi për shpirtin e Papa Françeskut në dashurinë e pafundme të mëshirshme të Zotit.
Jorge Mario Bergoglio lindi më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires të Argjentinës, në një familje emigrantësh italianë, me 7 anëtarë. Babai i tij ishte punëtor hekurudhe. Në krye të Kishës Katolike u zgjodh më 13 mars 2013 duke shërbyer si Papa i 266-të dhe pasoi Papa Benediktin e XVI-të
Nga viti 1998 e deri në zgjedhjen si papë, shërbeu si Arqipeshkv i Buenos Airesit dhe u bë kardinal në vitin 2001 nga Papa Gjon Pali II. Përveç spanjishtes, Papa Françesku fliste rrjedhshëm italisht e gjermanisht. Françesku u bë i pari jezuit dhe i pari amerikano-latin që u zgjodhet për të drejtuar Selinë e Shenjtë. Papa i parë jo-europian në 1200 vitet e fundit.
Më 21 shtator 2014 realizoi vizitën e parë në Europë në Tiranë, ku në kryeqytetin tonë mbajti edhe një meshë solemne në Sheshin “Nënë Tereza”, një fjalim e takim në Presidencë dhe shëtitje shenjtëruese në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mes mijëra pjesmarrësve e besimtarëve.
Nga liderët botërorë erdhën reagimet e para:
Europa mban zi për vdekjen e Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut. Me buzëqeshjen elektrizuese fitoi zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën. “Papa i Popullit” do të mbahet mend për dashurinë e tij për jetën, shpresën për paqen, dhembshurinë për barazinë dhe drejtësinë sociale. U prehtë në paqe, shkroi në rrjetet sociale kryetarja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.
Papa Françesku është rikthyer në Shtëpinë e Atit. Kujdesi për Krijimin, mëshirën, vëllazërinë. Një mik i Italisë. Le të lutemi për të dhe për të ardhmen e gjithë Kishës Katolike. Ati i Shenjtë, na ruaj nga atje lart! Ky mesazh u shkrua në X nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.