Vera, dikur sinonim i pushimeve pa orar dhe relaksit total, në vitet e fundit është kthyer në një fushë presioni të pashpallur. Instagrami vlon nga udhëtime luksoze, mbrëmje me pamje nga deti dhe kokteje në dorë dhe ndërsa dikush tjetër shijon Santorinin, ti ndoshta je në zyrë, në trafik apo thjesht duke u munduar të kuptosh nëse jeta jote po ecën në tempin e duhur. Kjo ndjesi ka një emër:
FOMO, frika se po të shpëton diçka.
Dhe vera është sezoni i saj më i fortë. Kur çdo scroll në rrjetet sociale të jep idenë se të gjithë të tjerët po përjetojnë momentin e jetës së tyre, është shumë e lehtë të ndihesh pasiv, i lënë mënjanë, apo edhe… dështak. Por e vërteta është ndryshe: shumë nga ato çka shohim janë vetëm copëza të kuruara, larg realitetit të përditshëm që nuk filmohet kurrë.
Psikologët thonë se:
FOMO veror lidhet ngushtësisht me ndjenjën e krahasimit dhe pritshmërive të rreme. Në vend që të shijojmë kohën tonë, në mënyrën tonë, shpesh përpiqemi të përshtatemi me një version “ideal” që na shitet çdo ditë. Dhe kur nuk arrijmë ta realizojmë, krijohet boshllëku.
Zgjidhja?
Të ndryshojmë këndvështrimin. Vera nuk është garë. Pushimi nuk ka një format të saktë. Mund të jetë një libër i lexuar nën hijen e ballkonit, një fundjavë në mal apo thjesht një ditë pa njoftime. Të jetosh pa u ndier në presion nga çfarë duhet bërë është çlirimi më i madh i kësaj stine. Ndaj, këtë verë, në vend që të ndjekësh valën, krijo tënden. Dhe mos harro:
Disa nga momentet më të bukura nuk publikohen asnjëherë.