Vera është periudha më e përshtatshme për pushime, por sa ditë nevojiten që trupi dhe mendja të rikuperohen plotësisht?
Psikologët dhe ekspertët e mirëqenies theksojnë se një pushim efektiv duhet të zgjasë nga 7 deri në 10 ditë.
Kjo periudhë i jep organizmit kohë të mjaftueshme për të kaluar nga ritmi stresues i përditshëm në një gjendje të qetë dhe të relaksuar.
Pushimet më të shkurtra, si fundjavat e zgjatura, ofrojnë lehtësim të përkohshëm, por rrallëherë sjellin çlodhje të plotë. Ndërkohë, pushimet shumë të gjata – mbi tre javë – mund të kthehen në burim stresi, sidomos nëse rikthimi në punë është i vështirë.
Ekspertët këshillojnë që gjatë pushimeve të shmangen e-mailet, telefonatat dhe angazhimet e zakonshme të përditshme, në mënyrë që trupi dhe mendja të rilidhen me natyrën, veten dhe njerëzit e dashur.
Sipas tyre, “më mirë pak e saktë, sesa gjatë e me stres” – pushimet duhen për çlodhje, jo për t’u lodhur ndryshe.