Aktualitet Rajoni

Kurti: Kemi shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë/Kërkon lirimin urgjent të policëve kufitarë!

Qeveria e Kosovës ka shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Në një konferencë shtypi të këtyre çasteve, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri Kurti theksoi se “synim është siguria dhe siguria fillon te kufijtë”.

Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese.

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve kufitarë për të cilët Prishtina akuzon serbët se “i rrëmbyen” në territorin e Kosovës, Kurti i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të dënojë veprimet e Serbisë dhe u shpreh “i habitur nga heshtja e tyre”.

Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe qëllim për eskalim e destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për de-përshkallëzim dhe stabilizim.

Në konference me Kurtin është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ndërkaq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë e financave të Kosovës.

Policia e cilësoi “rrëmbim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, por në Beograd thanë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Sipas Policisë së Kosovës, ata u rrëmbyen nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri. Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviçit, brenda territorit të Kosovës.

Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës me shumicë serbe janë rritur ndjeshëm. Tensionet nisën më 26 maj kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimeve të serbëve që përbëjnë shumicën në Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut.

Më 29 maj, në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra persona u lënduan.

Dy ditë më parë, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Milun Milenkoviçin. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.