Rajoni

Kurti: Monitorimi elektronik do të luftojë dhunën në familje si kurrë më parë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “funksionalizimi i monitorimit elektronik do të luftojë dhunën në familje si asnjëherë më parë”. Deklaratat i bëri pas një takimi të organizuar nga policia për të treguar si do të funksionojnë hallkat për monitorim elektronik të autorëve apo të dyshuarve të dhunës. Siç dihet, shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra.

Ligji për “Mbikëqyrjen elektronike” hyri në fuqi në qershor 2015, por pa u zbatuar. Tani, mbikëqyrja elektronike do të vlejë për çdo individ, sapo të ketë një vendim gjykate për urdhër mbrojtjeje.

Ka qenë kërkesë e kamotshme që policia jonë, për të pasur parandalim më efikas, hetime më të mira dhe trajtime më gjithëpërfshirëse, të kalojë edhe në këtë fazë të hallkave për monitorim elektronik.

Hallka do të vendoset në këmbën ose dorën e dhunuesit, ose të personit të dyshuar, ndërsa viktimat dhe autoritetet do t’i kenë gjurmuesit. Nëse viktimës i afrohet i dyshuari në zonën që ia ndalon gjykata, sinjali u shkon me automatizëm nivelit lokal dhe qendror të policisë, dhe nisin procedurat standarde për ndërhyrje.

Problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Defekti nuk është thjesht te mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por te mosrespektimi i urdhrave mbrojtës. Meqenëse ka të tillë që do të vazhdojnë me mosrespektim të urdhrave mbrojtës, ne kemi bërë një hap gjigant për mbikëqyrje të të gjithë këtyre personave.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se dhuna në familje nuk është çështje private, por përgjegjësi e institucioneve, ndaj pret veprime serioze nga prokuroria dhe gjykatat. Sipas Haxhiut, dënimet e buta vetëm mund t’i nxisin dhunuesit.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla deklaroi se hallkat për mbikëqyrje do të përdoren edhe për parandalimin e të tjera veprave penale. Kryesor do të jetë parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave.

Shefi i Policisë, Gazmend Hoxha:

Policia e ka pasur obligim zbatimin e ligjit ekzistues dhe një gjë e tillë është mundësuar pasi qeveria ka ndarë buxhet të veçantë.

Hoxha nuk përmendi shifrën.  Nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë 58 gra. Në disa raste, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Më së shumti, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, si dhe baballarët e djemtë.