Bota Magazine

Kush është Charlie Kirk? Aktivisti konservator që u bë shënjestër e një sulmi me armë në Utah…

Charlie James Kirk, i lindur në vitin 1993 në Illinois, është një nga figurat më të njohura të krahut të djathtë amerikan, aktivist, autor dhe prezantues. Ai është themelues dhe drejtor ekzekutiv i Turning Point USA (TPUSA), organizatë që synon promovimin e ideve konservatore në kampuset universitare dhe te të rinjtë.

Në moshë të re, Kirk la studimet për t’iu përkushtuar veprimit politik, duke ndërtuar një lëvizje që sot ka filiale të shumta, si Turning Point Action dhe Turning Point Faith.

Ai u bë i njohur edhe përmes emisionit të tij “The Charlie Kirk Show” dhe librave si “The MAGA Doctrine” dhe “Right-Wing Revolution”.

Nën udhëheqjen e tij, TPUSA është shndërruar në një kanal të rëndësishëm mes gjeneratës së re republikane dhe Donald Trump. Marrëdhënia e ngushtë me ish-presidentin amerikan i ka forcuar pozicionin si një nga zërat kryesorë të lëvizjes MAGA. Kirk ka qenë një mbështetës i zjarrtë i Trump që nga fushata e vitit 2016 dhe ka vazhduar të mbrojë politikat e tij, përfshirë edhe pretendimet për zgjedhje të manipuluara në vitin 2020.

Ai është gjithashtu një figurë me ndikim masiv në rrjetet sociale, ku përmbajtjet e tij arrijnë rreth 100 milionë ndjekës në muaj dhe mbi 15 miliardë shikime vetëm gjatë vitit 2024.

Turneu i tij “You’re Being Brainwashed” para zgjedhjeve të fundit u bë viral, duke kapur mbi 2 miliardë shikime.

Por këtë javë, Kirk u bë viktimë e një sulmi të armatosur gjatë një fjalimi në Universitetin e Luginës së Utah-ut, si pjesë e turneut “Rikthimi Amerikan”.

Ai u plagos në qafë, ndërsa audienca shpërtheu në panik. Policia arrestoi menjëherë një burrë të moshuar si autor të dyshuar, ndërsa FBI ka nisur hetimet për ngjarjen. Kirk u dërgua me urgjencë në spital dhe gjendja e tij po monitorohet nga mjekët.

Sulmi ndaj Kirkut ndodhi në një kohë kur incidentet e dhunës politike janë shtuar ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara.

Vetëm në qershor, një kongresiste nga Minesota dhe bashkëshorti i saj u vranë në shtëpinë e tyre, ku autoritetet zbuluan një “listë vrasjesh” me afro 70 emra politikanësh.

Po ashtu, në Kolorado, një burrë shpërtheu një pajisje ndezëse ndaj protestuesve që kërkonin lirimin e pengjeve nga Gaza.

Ngjarje të tilla po shtojnë frikën se tensionet politike po shndërrohen gjithnjë e më shumë në akte dhune të rënda, duke rrezikuar jetën e figurave publike dhe të qytetarëve.