Rajoni

Kuvendi i Kosovës në krizë, dështon sërish zgjedhja e kryetares!

Albulena Haxhiu dështoi te zgjidhet sërish kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ajo mori 57 vota pro, ndërsa kundër ishin 46 vota, partitë PDK, LDK dhe AAK.

Ndërsa abstenuan tre deputetë të Nismës.

Deputetët nga Lista Serbe nuk morën pjesë në votim fare.

Seanca konstituive pritet te vazhdojë të premten në orën 10:00.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Albulena Haxhiu i përmbush kushtet për të qenë kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke i hedhur poshtë kundërshtimet e partive të tjera parlamentare.

Ajo tha se lehtësia me të cilën po kërkohet dhe vlerësohet mundësia e ndërrimit të kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje “është tërësisht e papranueshme”.

“Për të gjithë ata që e kritikojnë Albulena Haxhiun, ju them se ajo është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit me 125 mijë vota. Pesha politike dhe legjitimiteti i zonjës Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është e pakontestueshme”, tha ajo.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij është e interesuar që të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.

“Më vjen keq që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) s’po ka mirëkuptim për kalimin e kësaj situate”, është shprehur ai në hollin e Kuvendit, pasi kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme.

Beteja politike nuk është zhvilluar asnjëherë për kryetar Kuvendi dhe për konstituim Kuvendi, ka thënë Haradinaj.

Qëndrimet tona sa i përket Qeverisë i dini, jemi për qeveri të opozitës, ka shtuar ai.

Haradinaj ka thënë se “nëse LVV-ja gjen zgjidhje tjetër, të shohim si do të ec tutje”.

Do të ishte në interesin e tyre ta prezantojnë një kandidaturë unifikuese, të kalojë ky bllokim, ka deklaruar kreu i AAK-së.

Haradinaj ka thënë se përgjegjësia për dështimin e seancës për konstituimin e Kuvendit bie mbi LVV-në.

Faji bie mbi atë që s’e ka shumicën e s’jep opsion bashkëpunimi. Nëse u duhen votat tona, duhet bashkëpunim, është shprehur ai.

Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes drejt zgjedhjeve të reja, teksa ka thënë se “edhe për të shkuar në zgjedhje duhet dakordimi i opozitës”.