Rajoni

Kuvendi i Kosovës në përpjekjen e pestë për konstituim!

Ka filluar seanca konstituive, e ndërprerë katër herë gjatë ditëve të kaluara, në përpjekje për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.

Kryesuesi i seancës Avni Dehari njoftoi se në sallë janë të pranishëm 115 deputetë.

Deputetët mblidhen për përpjekjen e pestë për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta bërë këtë ata duhet t’i zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët.

Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, këmbëngul në kandidaten e saj Albulena Haxhiu, me gjithë kundërshtimet.

Opozita nuk ka ndërruar mendje dhe pritet ta kundërshtojë sërish emërimin e Haxhiut.

Për emërimin e kryetarit të Kuvendit nevojiten 61 vota nga 120 deputetët e Kuvendit.

Në rast se Kuvendi konstituohet sot, atëherë do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

Para se të hyjë në Kuvend, Albulena Haxhiu ka thënë shkurt se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim.

Ndërkohë, Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë që nuk e votojnë Albulena Haxhiun si kryetare të parlamentit.

Lumir Abdixhiku ka thënë se nëse këto ditë nuk ka pasur marrëveshje politike, seanca do të jetë e kotë.

“Është e pakuptimtë që një parti që ka 48 deputetë nuk mund të sigurojë votat”, ka thënë ai.

“Për LDK-në është e qartë se me këtë gjuhë nuk ka kompromis. Jemi të qartë, për më tepër bindjet tona se partia e parë duhet të ofrojë një kandidat konsensual jo një që lexon skriptat partiake. Ne nuk kemi kandidat konsensual sepse nuk jemi në tavolinë të diskutimit. Ata që janë të gatshëm për kompromis, le të ulën të diskutojnë” ka thënë Abdixhiku.