Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhen sërish në përpjekjen e radhës për të konstituuar parlamentin. Procesi ka mbetur te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti pakicë serb.
Në seancën e 26 gushtit, para katër ditëve, deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiç, tre herë nuk i mori votat për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit.
Më tej, kryetari Kuvendit, Dimal Basha, vendosi që procedura për zgjedhjen e nënkryetarit të bëhet përmes shortit. Në votim u përfshi edhe deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiç, i cili gjithashtu nuk siguroi votat e nevojshme për të marrë këtë post.
Për Rashiçin, i cili kandidon i vetëm, sot pritet të jetë hera e tretë dhe e fundit që tenton të marrë besimin e deputetëve.
Kujtojmë se të martën e 26 gushtit, Dimal Basha mori besimin e 73 deputetëve, 30 ishin kundër dhe tetë abstenuan.
Po në të njëjtën ditë janë zgjedhur nënkryetarët nga tri partitë më të mëdha shqiptare që janë Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku e Kujtim Shala.
Edhe nga komunitetet tjera pakicë Emilia Rexhepi është zgjedhur si nënkryetare me rotacion.
Pas dështimit në dy seancat e fundit për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb, edhe sot procesi i zgjedhjes së nënkryetarit pritet të vazhdojë përmes shortit, i cili parashihet edhe në rregulloren e Kuvendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje bëri thirrje që Kuvendi të konstituohet dhe qeveria të zgjidhet sa më shpejt, duke theksuar se çdo vonesë është në dëm të vendit dhe të qytetarëve.
Që Kuvendi të konstituohet urgjentisht, që qeveria të zgjidhet po ashtu urgjentisht, çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën, tha presidentja Osmani.
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur për dy nënkryetarë votohej bashkë, këtë vit votimi është ndarë. Juristët vlerësojnë se një gjë e tillë bie ndesh me Kushtetutën, por se për ta konfirmuar këtë, dikush duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.