Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhen në vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Kjo është përpjekja e 23-të me radhë.
Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit të propozuar ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në seancat paraprake, nuk pati kuorum për vendimmarrjen mbi komisionin për votimin e fshehtë. Propozimi për disa herë me radhë i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë, nuk po merr përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.
Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dërguar mënyrën e votimit të fshehtë për kryetarin e ri të Kuvendit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, më 15 maj, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.
Thirrje për dalje nga ngërçi ka bërë edhe faktori ndërkombëtar.