Rajoni

BE-ja në pritje që Kosova ta formojë sa më shpejt qeverinë e re!

Shefi i zyrës së Bashkimit Europian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, shpreson që Kosova ta formojë sa më shpejt qeverinë e re, me të cilën blloku europian të punojë për rrugën e vendit drejt integrimit europian. Duke folur në Prishtinë në konferencën “Kosova drejt Bashkimit Europian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, Orav tha se Kosova mund të bëjë gjëra të cilat e çojnë drejt Bashkimit Europian.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE, më 15 dhjetor 2022, por kërkesa nuk i është shqyrtuar ende e për rrjedhojë është e vetmja në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është që së pari të kemi një partner. Po, kemi një partnere, presidenten, por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Europian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Kosova po dështon t’i formojë institucionet e reja, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ngërçi politik vjen pasi asnjë parti nuk fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe nga mungesa e vullnetit nga partitë politike për krijimin e ndonjë koalicioni qeverisës.

Orav foli edhe për çështje të tjera, si masat ndëshkuese ndaj Kosovës e Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kosova të bashkëpunojë ngushtë me bllokun për heqjen në tërësi të masave.

Në lidhje me Asociacionin, Orav theksoi se BE-ja e ka bërë gjithmonë të qartë se duhet të themelohet.

Një temë për të cilën të gjithë flasin, por që nuk është aq e preferuar për t’u përmendur nga politikanët këtu në Kosovë është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Duhet të bëhet e është më mirë të bëhet më herët se më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në Bashkimin Europian jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova të bëjë të njëjtën gjë.

Në tetor të vitit 2023, të dërguarit e atëhershëm të BE-së, SHBA-ve, Francës, Gjermanisë e Italisë, i ofruan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Kosova nuk ka pranuar ta themelojë.