Për të 47-ën herë me radhë, përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës edhe sot përfundoi pa sukses. Mbledhja e deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, sërish nuk solli ndonjë ndryshim në ngërçin politik që po zgjat prej tre muajsh. Partitë politike në opozitë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Këtë procedurë, e konsiderojnë “të papajtueshme” me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, shprehet se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin e kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.
Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër. Në seancën e sotme, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së e AAK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë. Seanca u ndërpre, për të vazhduar më 17 korrik.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi se Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30-ditor, por pa sqaruar pasojat nëse ky afat nuk respektohet. Kjo ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme nga partitë politike, që mbeten të ndara në qëndrimet e tyre ndaj zgjidhjes së situatës.
Javën e parë të korrikut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada institucionale. Pas përfundimit të konsultimeve, Osmani theksoi se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor të vendosur nga Kushtetuesja, nuk është çështje vullneti, por një detyrim kushtetues.
Vjosa Osmani iu bëri thirrje partive politike që të angazhohen seriozisht për të gjetur një zgjidhje sa më parë.
Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja po shqyrton mundësitë ligjore për t’i drejtuar një kërkesë sqaruese Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të kuptohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të dhënë.