Aktualitet Politikë

Kuvendi i Shqipërisë miraton ndryshimet në qeveri!

Mes kaosit, në Kuvendin e Shqipërisë, u votëbesuan zv.kryeministrja dhe ministrat e rinj, pas dekretimit të një dite më parë nga presidenti Bajram Begaj të 7 ndryshimeve në qeveri, të propozuara nga kryeministri Edi Rama. Votimi u zhvillua ndërsa opozita mbante të bllokuar foltoren.

Seanca plenare nisi me debate mbi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit Belinda Ballukut. Demokratët kërkuan të futet në rend dite raporti i tyre pro heqjes së imunitetit. Gazment Bardhi akuzoi maxhorancën se po zgjat shqyrtimin dhe ka mbetur vetëm një javë që kërkesa të konsiderohet e rrëzuar.

Por, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj duke i kujtuar se janë brenda afatit 2 javor për të hartuar raportin e tyre, të cilin do ta sjellin në Kuvend në seancën e 12 marsit, bashkë me raportin e opozitës.

Shkarkimet:

Belinda Balluku 85 vota

Elisa Spiropali 83 vota

Pirro Vengu  81 vota

Albana Koçiu 83 vota

Besfort Lamallari 83 vota

Toni Gogu 82 vota

Emërimet

Albana Koçiu zv/kryeministre 83 vota pro 3 kundër

Ferit Hoxha ministër i Jashtëm 83 pro 4 kundër

Besfort Lamallari ministër i Brendshëm 83 vota pro 4 kundër

Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes 83 vota pro 6 kundër

Toni Gogu ministër i Drejtësisë 83 vota pro 5 kundër

Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë 83 vota pro 6 kundër

Eriona Ismaili ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin 82 vota pro 4 kundër

Me kërkesë të PS-së, seanca parlamentare nisi me 1 minutë heshtje për heroin Adem Jasharin dhe familjen e tij në Prekaz. Më 5 mars 1998, Serbia nisi sulmet ndaj familjes Jashari në Prekaz. Ndërkaq, Partia Demokratike kërkoi 1 minutë heshtje për ish-deputetin Tomor Dosti, i ndarë nga jeta dje.

Më herët, deputeti i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj u përjashtua me 20 ditë nga punimet e Kuvendit. Ky vendim u mor në mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, me kërkesë të maxhorancës.

PS-ja kujtoi se në seancën e kaluar, Shehaj bllokoi foltoren dhe refuzoi të dilte nga salla, pas masës për përjashtim duke penguar punimet.

Ai ngriti zërin për banorët e Rrjollit dhe protestat që ata po zhvillojnë prej një muaji, kundër ndërtimit të një resorti, duke pretenduar se janë tokat e tyre.

Ndërkaq, pas një ndërprerjeje të shkurtër disa minutëshe, rinisi seanca parlamentare.