Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
“Modeli i ri i inteligjencës artificiale ka thyer rekordin e vet.” Dhe jo thjesht ka thyer një rekord, por ka kaluar mbi 80% në një nga testet më të vështira të kodimit. Ky është niveli “ok, ky sistem po na konkurron seriozisht”.
Versioni i ri quhet Opus 4.5 dhe është modeli i fundit i serisë 4.5 nga Anthropic. Vjen pas dy modeleve të tjera më të vogla, por ky është i madhi i shtëpisë, ai që supozohet t’i dijë të gjitha dhe t’i bëjë edhe mirë. Performon shumë mirë në teste për kodim, zgjidhje problemesh dhe çfarëdo t’i hedhësh përpara. Fundja, pikërisht këto janë testet ku dallon një model i vërtetë i avancuar.
Një aspekt interesant është që modeli po bëhet shumë i mirë në përdorimin e kompjuterit dhe spreadsheet-eve. Madje për të treguar këtë aftësi, po hapen për publikun edhe veglat shoqëruese: një shtesë për Chrome dhe një version i integruar për Excel. Të dyja synojnë të tregojnë sa i aftë është modeli në ambiente reale pune, jo vetëm në teste teorike.
Ka edhe përmirësime të mëdha në mënyrën si modeli menaxhon memorien. Nuk është më ideja vetëm të hapësh një dritare të madhe informacioni, por të dish çfarë vlen të mbash mend dhe çfarë jo. Kjo i ka hapur rrugë një funksioni që përdoruesit po e kërkonin prej kohësh: biseda që nuk ndërpritet më kur mbushet konteksti. Sistemi tani di të kompresojë kujtesën në sfond, pa e bërë dramë dhe pa të ndërprerë ty.
Në thelb, është një hap tjetër drejt modeleve që sillen si ndihmës realë dhe nuk të pyesin çdo pesë minuta nëse u ka mbaruar hapësira e memories.