Bota

Ky vend do të gjobisë pasagjerët që heqin rripat e sigurimit shumë herët pas uljes së avionit!

Pasagjerët në avionët në Turqi që i heqin rripat e sigurimit shumë herët pas uljes së avionit tani do të përballen me gjoba sipas rregullores së re të lëshuar nga autoriteti i aviacionit të Turqisë. Ligji i ri, i cili hyri në fuqi në fillim të majit, është një përpjekje për të ndaluar pasagjerët që përpiqen të shmangin radhët për të zbritur nga aeroplani duke i hequr rripat e sigurimit, duke marrë çantat e tyre dhe duke u drejtuar për në dalje.

Drejtoria e përgjithshme e autoritetit të aviacionit civil të Turqisë thotë se ka marrë ankesa për njerëz që e shkelin këtë rregull dhe konfirmoi në inspektimet në bord se shumë pasagjerë nuk po i përmbahen. Vetë rregullorja nuk specifikon shumën e gjobës, por transmetuesi turk Halk TV raporton se është rreth 67 dollarë ose 60 euro.

Ligji i aviacionit në shumë vende i ndalon pasagjerët të heqin rripat e sigurimit. Por në praktikë gjobat zbatohen kryesisht për pasagjerët që prishin qetësinë ose pinë duhan në tualet. Sipas ligjit të ri të Turqisë, një gjobë mund të vendoset edhe nëse pasagjerët heqin para kohe rripin e sigurimit.  Prandaj, linjave ajrore u është dhënë udhëzimi të bëjnë njoftimin e mëposhtëm: “Mos u ngrini ose mos ecni nëpër korridor derisa të vijë radha juaj për të dalë nga avioni”.

Linjat ajrore që nuk i zbatojnë këto kërkesa mund të përballen gjithashtu me gjoba administrative. Ndërkaq, rikujtojmë se Drejtoria e Përgjithshme e Trafikut në Spanjë (DGT) ka lëshuar një këshillë të pazakontë, por mjaft të rëndësishme për sigurinë rrugore’ vendosni rripat e sigurimit edhe në sediljet e pasme, edhe nëse ato nuk janë të zëna nga pasagjerë. Kjo këshillë lidhet me parandalimin e rrezikut të lëndimeve të rënda në rast përplasjeje, sidomos kur në bagazh transportohen sende të rënda.