Auto & Moto Lifestyle

Duhet të lidhim rripat e sigurimit dhe në ulëset e pasme, edhe kur nuk ka pasagjerë? Pse?

Drejtoria e Përgjithshme e Trafikut në Spanjë (DGT) ka lëshuar një këshillë të pazakontë, por mjaft të rëndësishme për sigurinë rrugore: vendosni rripat e sigurimit edhe në ulëset e pasme, edhe nëse ato nuk janë të zëna nga pasagjerë.

Kjo këshillë lidhet me parandalimin e rrezikut të lëndimeve të rënda në rast përplasjeje, sidomos kur në bagazh transportohen sende të rënda. Në raste të tilla, nëse rripat nuk janë të lidhur, ndodh i ashtuquajturi “efekti elefant” – ku forca e një objekti apo pasagjeri në përplasje mund të arrijë deri në ton.

DGT thekson se rripat e lidhur ndihmojnë në stabilizimin e ulëseve të pasme dhe reduktojnë rrezikun nga lëvizjet e papritura të bagazhit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë udhëtimeve me ngarkesa të mëdha, kur frenimi i papritur mund të shndërrojë valixhet apo sendet e tjera në rrezik serioz për pasagjerët.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu që të gjithë pasagjerët – përpara dhe prapa – të vendosin gjithmonë rripin e sigurimit. Siguria nuk është opsionale.