Lady Gaga ka treguar sërish se është një ikonë e padiskutueshme e stilit dhe muzikës pop. Këngëtarja 39-vjeçare u shfaq të enjten në New York me një paraqitje plot elegancë dhe provokim.
Artistja e hitit “Poker Face” kishte zgjedhur një veshje tërësisht të zezë, me pantallona të ngushta, bluzë elegante dhe një xhaketë moderne.
Pamjen e kompletonin syzet e mëdha të diellit dhe buzëkuqi i kuq që kontrastonte me flokët e saj biondë.
Në sy ranë edhe këpucët me platformë, të ngjashme me ato të videoklipit “Bad Romance”, si dhe unaza e saj e fejesës – një diamant tetë karatësh, i vlerësuar rreth 578 mijë dollarë, dizajnuar nga Sofia Jewelry.
Gaga ka treguar se i fejuari i saj, sipërmarrësi 46-vjeçar Michael Polansky, fillimisht i kishte propozuar në mënyrë simbolike me një fije bari, një moment që më vonë u kthye në frymëzim për muzikën e saj.
Paraqitja e saj përkoi me publikimin e trailerit të ri të pjesës së dytë të sezonit të dytë të serialit të suksesshëm të Netflix, “Wednesday”.
Në fund të videos dëgjohet zëri i Gaga-s, i cili paralajmëron personazhin kryesor:
Kujdes – çdo gjë ka një çmim
Netflix ka zbuluar se ajo do të interpretojë Rosaline Rotwood, një mësuese legjendare në Nevermore, e cila do të ketë një rol kyç në historinë e Wednesday Addams (Jenna Ortega). Pjesa e dytë e sezonit do të publikohet më 3 shtator.
Roli i Gaga-s u konfirmua në maj gjatë eventit “Tudum 2025”, ku ajo elektrizoi skenën me një performancë tetë minutëshe. Në një skenografi mbresëlënëse, këngëtarja doli nga një arkivol me mbishkrimin “Këtu prehet Mbretëresha Nënë”, e rrethuar nga balerinë të frymëzuar nga familja Addams, ndërsa riktheu kërcimin viral të sezonit të parë mbi këngën e saj “Bloody Mary”.
Në një moment kulmor, ajo mirëpriti Jenna Ortega-n në skenë, duke ngritur publikun në ovacione të fuqishme. Netflix e priti me fjalët:
Mirë se erdhe në Nevermore, Mother Monster