Nga Prishtina ku sot takoi Albin Kurtin, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak tha se zhvilloi “diskutim të rëndësishëm” me kryeministrin e Kosovës.
Erdha në Prishtinë për të diskutuar me kryeministrin Kurti e zv.kryeministrin Bislimi, rrugën përpara në procesin e normalizimit, pas takimit të 2 majit. Eshtë e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd.
Duke folur për gazetarët pas bisedimeve, emisari europian tha se qëllimi i takimit ishte të krijohet një kuptim i qartë si do të veprohet nga tani e më tej.
Ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë. Diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte shumë intensiv dhe shumë i rëndësishëm.
Ai bëri të ditur se do të shkojë në veri të Kosovës, ku dëshiron të shohë nga afër situatën.
Me të vërtetë shpresoj se do të ketë një zgjidhje politike që do të na lejojë të gjithëve të fokusohemi në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes.
Lajçak bëri të ditur se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, me Besnik Bislimin e Petar Petkoviçin, të hënën më 15 maj.
Zyrtarët e Bashkimit Europian thanë se vizita e Lajçakut në Kosovë e Serbi synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes dy vendeve e që ndërmjetësohet nga Unioni.
Më 2 maj, në Bruksel u mbajt raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Në këtë takim, palët arritën pajtim për Deklaratën e të Zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por u prezantua dhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb. Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.
Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërsa qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër asociacionit njëetnik.