Aktualitet

LAJMI I FUNDIT/ Ministri i Drejtësisë dërgon në ILD dhe KLP prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli!

Ministri i Drejtësisë dërgon në ILD prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, dhe kërkon nisjen e procedimit disiplinor ndaj saj, sipas ligjit, për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.

Ashtu si Kryeministri Rama kishte paralajmëruar, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar në KLP hetim për prokuroren, por edhe procedim disiplinor.

“Vazhdojmë të pastrojmë plagën e tmerrshme që iu hap Thethit dhe ministria e Drejtësisë po bën gati dokumentacionin, dhe t’i kërkojë KLP që të qëndrojë mbi prokurorinë e Shkodrës, sepse realisht është shumë shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth. Strukturat e shtetit janë lënë në baltë nga një prokurore dhe Prokuroria e Shkodrës e merr në mbrojtje. Këta njerëz në shkollë bëjnë edhe një lëndë që quhet logjikë, në arsyetimet e tyre vetëm logjikë nuk ka. Ajo mungesë logjike në një organ themelor të zbatimit të ligjit, përkthehet në dëme shumë të mëdha për komunitetin, individët, për pasurinë tonë të përbashkët, për imazhin e vendit. Çfarë imazhi është ky në sytë e atyre qindra turistëve që dje edhe sot në Theth shikojnë fadromat, që shkojnë atje për të pastruar plagën e hapur nga një individ totalisht i papërgjegjshëm, që ka kryer krim të shumëfishtë atje dhe që ende tani që flasim nuk dihet kush është sepse prokurorja Gjeli, e ka lënë të lirë duke mos vendosur mosfillimin e çështjes, dmth ka vendosur të mos bëjë asnjë hetim. Beteja është kjo në të katërt anët”, tha Rama.

Prokuroria e Shkodrës ka reaguar që pas deklaratës së parë të kryeministrit Edi Rama (7 Korrik), kur ai akuzoi prokuroren Elsa Gjeli se ‘ka hedhur në kosh’ denoncimin e bërë për ndërtimin e një fshati pa leje në Theth.

 “Vendimi i datës 30.05.2025 i Prokurores Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”, thuhet në reagim.

Më tej, argumentohet vendimi i Gjelit. Sipas prokurorisë, strukturat e konstatuara ishin kontejnerë të përkohshëm pa themele dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi.

Prokuroria citon nenin 7, pika 3, gërma “i” e VKM nr. 408, datë 13.05.2015, ku thuhet se strukturat që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele dhe me materiale të çmontueshme, nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake. Madje, thotë Prokuroria e Shkodrës, IMT dhe Bashkia Shkodër në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale.

 “Në këto kushte, mungesa e elementit objektiv dhe pasojës penale, sipas analizës së zbatuar të ligjit, e bën të pamundur ngritjen e ndjekjes penale dhe Prokurori, si organ kushtetues i pavarur, ka detyrimin ligjor që të vlerësojë faktet në përputhje me ligjin“, theksohet në reagim.

Më tej, ky institucion kritikon “mesazhin politik publik” nga kryeministri dhe kujton se Prokuroria është një institucion kushtetues i pavarur që vepron në përputhje me ligjin, ku çdo vendimmarrje procedurale merret mbi bazën e fakteve dhe provave të administruara