Një bazë shpërndarjeje droge e maskuar si lavazh automjetesh u godit nga policia në Sarandë. Operacioni i koduar “Kamuflimi” u finalizua me arrestimin në flagrancë të dy personave, 51 dhe 22 vjeç, banues në qytet, të cilët dyshohet se ushtronin aktivitet të paligjshëm në fushën e narkotikëve.
Sipas policisë, ata kishin përshtatur ambientet e një lavazhi në rrugën “Idriz Alidhima” për ta përdorur si bazë për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan rreth 1 kilogram kanabis, si dhe materiale që shërbenin për ndarjen dhe ambalazhimin e saj.
Dy të arrestuarit janë shoqëruar dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme. Policia njofton se operacionet për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve do të vijojnë.