Po lëkundet sërish armëpushimi i arritur në Gaza sipas planit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo pas një serie sulmesh nga forcat ajrore izraelite në zona të ndryshme të Rripit të Gazës. Referuar burimeve palestineze, bombardimet vranë 21 persona dhe plagosën shumë të tjerë.
Tel Avivi akuzon Hamasin për shkelje të armëpushimit, duke pretenduar se militantët hapën zjarr përtej Vijës së Verdhë që përcakton zonën nën kontrollin e IDF-së izraelite. Militantët islamikë i hedhin poshtë akuzat dhe iu bëjnë thirrje ndërmjetësve ndërkombëtarë të ndërhyjnë për të ndaluar atë që e konsiderojnë “shkelje të marrëveshjeve”.
Ndërkohë, sipas një zyrtari të lartë amerikan të cituar nga Channel 12, Shtetet e Bashkuara kanë miratuar përgjigjen e Izraelit në rast të shkeljeve të dyshuara të armëpushimit. Evolucioni i situatës mbetet gjithashtu i lidhur me fatin e militantëve ende të bllokuar në tunelet e Rafahut.
Ndërkaq, ka raportime se një delegacion me zyrtarë të lartë të Hamasit ka mbërritur në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro për t’u takuar me zyrtarë të inteligjencës egjiptiane dhe për të diskutuar përshkallëzimin e fundit në Rripin e Gazës. Kjo u bë e ditur nga gazeta saudite Al-Hadath, duke cituar një burim të rezervuar që ka dijeni rreth çështjes.
Të njëjtin lajm e raportoi edhe gazeta Times of Israel. Po ashtu, delegacioni pritet të takohet me përfaqësues të vendeve ndërmjetëse e që janë Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo për të diskutuar “mënyrat për të përmbajtur përshkallëzimin” dhe kalimin në fazën e dytë të planit të presidentit amerikan, Donald Trump në lidhje me të ardhmen e Gazës.