Aktualitet

Lëvizte me armë zjarri, arrestohet 44-vjeçari në Shkodër!

Një 44-vjeçar i identifikuar si  Isak Mema u arrestua nga Policia e Shkodrës pasi lëvizte me armë zjarri pistoletë. Blutë sekuestruan  një  pistoletë me krehër me 14 fishekë,  në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, duke evidentuar dhe goditur veprimtaritë kriminale, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri, në qytet, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Square”, për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi I.M., 44 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë operacionit, në sheshin “Isa Boletini”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin në të cilin qarkullonte shtetasi I.M., i dyshuar për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit fizik, atij i është gjetur një armë zjarri pistoletë me një krehër me 14 fishekë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.