Art & Kulturë Magazine

Librat më të mirë të cilët mund t’i ndani me njeriun tuaj të dashur!

Këta pesë tituj bëhen edhe më të mirë, duke i eksploruar së bashku me një person tjetër.

A e keni menduar ndonjëherë se sa e këndshme është ndjesia kur ndaloni së lexuari në mes të një libri dhe t’i dërgoni mesazh një miku, një pasazh nga ajo që po lexoni.

Kur ndani atë që lexoni me njeriun tuaj të dashur, ju ndihmon të vëreni detaje që mund t’i keni humbur plotësisht. Dhe me çdo shoqërues, veçanërisht në një udhëtim, dëgjimi i një libri audio së bashku, mund të jetë magjepsës, ose të paktën t’ju dhurojë diçka për të qeshur.

Më poshtë janë pesë libra që bëhen edhe më të mirë duke i përjetuar dhe ndarë me dikë tjetër, një mik ose një anëtar të familjes. Pavarësisht nëse jeni dakord me ta apo jo, përshtypjet e partnerit tuaj në lexim mund të ndryshojnë tërësisht mënyrën se si ju e keni kuptuar subjektin.

‘Ne nuk do takohemi kurrë në jetën reale’, nga Samantha Irby

Irby është autore e shumë eseve prekëse dhe qesharake por edhe të dhimbshme. ‘Ne nuk do takohemi kurrë në jetën reale’, flet për tema për të cilat ajo njihet: trupi i saj, përvoja e saj me sëmundjen e Crohn, plakja, fëmijëria e saj e prindërit. Ajo tregon gjithashtu përrallën vërtet romantike të rënies në dashuri me gruan e saj aktuale. Por Irby ofron më të mirën e saj kur shkruan për seksin; në një libër të mëparshëm, ajo ofronte këshilla se “si ta bëni gati trupin tuaj të neveritshëm të mishit”, një frazë që nuk harrohet lehtë. Ju nuk do të jeni në gjendje ta kaloni këtë libër, pa ndarë disa nga pasazhet e saj me këdo që keni afër.

‘Materialet e tij të errëta’, nga Philip Pullman

Një nga gëzimet e mëdha të leximit është takimi me botë, nga të cilat nuk do donit të largoheshit. Të lexosh me një person tjetër, do të thotë t’i eksplorosh këto botë së bashku. Trilogjia e Pullman ofron një univers të tërë plot aventura, një univers që rrotullohet rreth një protagonisteje të parezistueshme, Lyra. Një guximtare që shumë shpejt bëhet përgjegjëse për fatin e të gjitha qenieve të ndjeshme të botës. Ngjarjet zhvillohen në një mbretëri imagjinare të populluar nga shtriga, spektra dhe shpirtra të mishëruar si kafshë që flasin. ‘Materialet e tij të errëta’ janë të gjata, por nuk zvarriten kurrë, dhe qindra faqet e tij ndërtojnë një kozmos të thellë dhe të mrekullueshëm.

Portreti i një pasqyre, nga A. Natasha Joukovsky

Romani i Joukovsky ndjek dy çifte të rinjsh me status të lartë, rrugët e të cilëve kryqëzohen gjatë verës së vitit 2015. Komedia satirike prek fenonemin e Narcisizmit. Wes dhe Diana nga Nju Jorku,dhe Vivien e Dale nga Filadelfia, detyrohen të hyjnë në një lloj katërkëndëshi dashurie të papranuar, por tensioni i tyre seksual është lënë në hije nga fakti se këta njerëz e duan veten shumë më tepër se sa e duan njëri-tjetrin. Libri do të bëjë që ju dhe një shoqërues të ndërroni vazhdimisht besnikëri mes katër personazheve.

Riddley Walker, nga Russell Hoban

Pasi një fatkeqësi bërthamore shkatërroi qytetërimin, një djalë 12-vjeçar i quajtur Riddley Walker shkon në një pelegrinazh rreth Anglisë juglindore në Canterbury. Leximi i librit me dikë tjetër, ose akoma më mirë leximi i tij me zë të lartë me ta, ju jep mundësinë të diskutoni teoritë ndërsa përpiqeni të zgjidhni enigmat e distopisë së Hobanit. Ndërsa udhëtimi i Riddley përparon, legjendat dhe vjershat fitojnë kuptim dhe ritmi i romanit përshpejtohet derisa të arrini kulmin e tij.

Trick Mirror, nga Jia Tolentino

Libri përbëhet nga nëntë ese. Temat e trajtuara në ese përfshijnë kulturën e internetit, “kulturën e mashtruesve” dhe feminizmin bashkëkohor. Tolentino filloi të shkruante koleksionin në fillim të 2017 dhe e përfundoi atë në vjeshtën e 2018. Përpara shitjes së librit te një botues, Tolentino zgjodhi një “pyetje” për të trajtuar në çdo ese. Tolentino zgjodhi rendin e eseve në mënyrë që secila të ketë lidhje me njëra tjetrën./Emma Sarapo